Përplasje mes banorëve dhe policisë te Unaza e Re

Banorët e zonës së “Astirit” bllokuan edhe pasditen e sotme rrugën tek Unaza e Re. Në ditën e 16 të protestës, banorët kanë kërkuar nga qeveria që t’i dëmshpërblejë për shembjen e banesave që preken nga projekti me çmimin e tregut.

Ndryshe nga ditët e tjera sot ka pasur përplasje mes banorëve që kundërshtojnë prishjen e banesave dhe policisë së shtetit. Banorët aktualisht janë nisur nga unaza për të mbërritur në zonën e rrethrrotullimit “Shqiponja”. Tensionimi i situatës erdhi pas njoftimeve se bashkia dhe firmat privat do nisnin punën për shembjen e banesave.

Një pjesë e personave që kanë kundërshtuar policinë janë ndaluar nga forcat e rendit. Në protestë kanë mbërritur dhe deputetë të opozitës, të cilët mbështesin kërkesat e banorëve për dëmshpërblim të plotë të pronave që do shkatërrohen.

Video live nga protesta e banorëve në Unazën e Re

Protestuesit bën thirrje për dialog dhe ulje të qeverisë në bisedime për të arritur në një marrëveshje të pranueshme nga palët.  Ndërkohë ata folën për provokime dhe presione që u vijnë nga strukturat e shtetit. Banorët treguan se një punonjës i policisë u ka shkuar tek disa prej tyre dhe i ka lajmëruar që të zhvendosin automjetet që i kanë në oborret e banesave të tyre. Sipas banorëve aty do të ndërtohet një shesh ku do të qëndrojnë fadromat dhe makineritë e tjera që do të merren me ndërtimin e Unazës së Madhe të kryeqytetit.

“Vazhdojnë provokimet minutë pas minute. Edhe me tanke nuk do i prishin dot këto shtëpia. Si do të veprojmë askush nuk e di. Nëse këtyre banorëve u ka ikur truri, ai duhet ti vërë gishtin kokës”,- tha një prej protestuesve.

Ndërkohë sot banorët kanë dorëzuar në prokurorinë e Tiranës një padi ndaj kryebashkiakut Veliaj për fyerje. Ndërsa ARRSH ka ftuar në bisedime një përfaqësi të tyre. Banorët e Astirit nuk kundërshtojnë projektin, por mënyrën sesi po sillet qeveria dhe bashkia për zhvendosjen e tyre. Ata thonë se proptesta do të vazhdojë deri në marrjen e një zgjidhje për dëmshpërblimin 100% të banesave. Kjo është dita e 16 e protestës nga banorët dhe në mbështetje të tyre janë edhe deputetë të PD-së dhe LSI-së.