Paratë e kokainës investohen në lojërat e fatit

Kryeprokurori i Antimafias Italiane, Federico Calfiero De Raho, ka konfirmuar dhe një herë  lidhjet mes trafikantëve shqiptarë të drogës e mafias kalabreze Ndrangheta. Gjatë një konference me të gjitha strukturat e prokurorive italiane, ai ka theksuar fuqinë ekonomike të mafias italiane e shtirë pothuajse në të gjithë Europën dhe që përmes shoqërive offshore dhe investimeve në biznesin e lojërave të fatit, riciklon paratë e pista duke infuencuar tregjet ekonomike kudo qofshin.

”Mafiet nuk janë më ashtu siç imagjoneheshin një herë e një kohë. Janë sipërmarrje në të gjitha drejtimet me pasuri të pakufijshme që ndikojnë në ekonominë reale. Mafia kalabreze, Ndrangheta, kontrollon një ekonomi të gjerë përmes trafikut të kokainës që mbërrin me tonelata nga Amerika jugore dhe hyn në Itali përmes porteve të Livornos, Gioa Taura, Napoli e Salerno por dhe përmes porteve të Adriatikut në Shqipëri”.

Sipas kryeprokurorit të Antimafias, Ndrangheta ka shtrirë duart dhe në veri të Europës përmes një organizimi sipërmarrës që vendos njerëzit e tyre në të gjitha pikat e referimit për biznesin e tyre. ”Tregu i drogës, tha ai, përmes shoqërive offshore investon në shoqëritë e lojërave të fatit, duke bërë qarkullimin e parave e kushtëzimin e tregjeve kudo qofshin”.