Nga violina tek poezia e Nolit, Aurela dhe Eli janë fiksimi i momentit

Aurela Gaçe dhe Eli Fara i dhuruan publikut bashkëpunimin e tyre të parë. Pas plot 25 vitesh miqësi, këngëtaret sollën tek “Kënga Magjike”, “Zemra Rratatata”.

Bashkëpunimi në fakt, duket se nuk ishte thjesht mes zërave të tyre por një sërë elementesh sa tradicionale aq edhe moderne. Performanca hapet me interpretimin e mjeshtrit të violinës, Etem Qerimaj, derisa në skenë shfaqen këngëtaret.

Në veshjet e tyre, të dizenjuara nga Joni Peçi dalloheshin motive popullore shqiptare. E ndërsa surprizën e radhës, Aurela e zbuloi vetë përmes një postimi në llogarinë e saj të Instagram-it.

Orkestrimi i këngës u bë nga Adrian Hila dhe teksti nga Erion Isai, pjesa ku Aurela repon është shkëputur nga vargjet e Fan Nolit.

“Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot.
Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not”.

Aurela, jo pa qëllim zgjodhi të repojë me vargjet e marra nga “Dale moj” të Nolit. Ndërthurja e trashëgimisë kulturore me elemetet modernë mund të bëhet dhe “Zemra Rratatata” është provë.

Burimi: Anabel