Komunistët shqiptarë: Rama si kryeministër qeverie neoballiste!

Anëtarë të Partisë Komuniste e kanë cilësuar dje qeverinë e Kryeministrit Rama, qeveri neoballiste.

Ata nuk pritën shumë gjatë nga dita e rivarrosjes së eshtrave të Mid’hat Frashërit dhe fjalës së Kryeministrit Rama në vlerësim të tij.

Ditën e çlirimit të kryeqytetit, 17 Nëntor 1944, komunistët me simbolet e tyre të përhershme, mes të cilave dhe fotografitë e Enver Hoxhës u shfaqën dje pas ceremonisë zyrtare të zhvilluar tek “Ushtari i panjohur”. Pankarta që ra më shumë në sy, ishte ajo ku shkruhej: “Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës”. Në një tjetër pankartë shkruhej “Bularati është Shqipëri”, duke mbajtur një tjetër qëndrim ndaj ngjarjes së fundit në Bularat, ku një ekstremist grek u vra nga Policia dhe më pas gjatë ceremonisë së varrimit shpërthyen dhe thirrjet nacionaliste antishqiptare.

Nuk qenë të paktë ata që akuzuan për mungesë të shtetit dhe reagimit nga qeveria ndaj atyre thirrjeve. Komunistët edhe për këtë ngjarje kishin shprehur qëndrimin e tyre. Por duket se ngjarja e kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në atdhe me një vendim të qeverisë shqiptare dhe varrosja e tyre me ceremonial shtetëror ka shkaktuar pakënaqësitë në radhët e atyre që janë përkrahës të Enver Hoxhës dhe Luftës Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare. Për komunistët, Mid’hat Frashëri mbetet kryetar i Ballit Kombëtar, i cili bashkëpunoi me pushtuesin.

Gjatë kohës të regjimit komunist në Shqipëri, historiografia e kohës e ka cilësuar atë kolaboracionist dhe armik të pushtetit popullor, edhe për shkak se ai drejtoi dhe Komitetin Shqipëria e Lirë, i cili organizonte diasporën shqiptare për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Ata u shprehën se Kryeministri Rama bëri gabim që vlerësoi një njeri si Mid’hat Frashëri dhe nuk thotë asnjë fjalë për Enver Hoxhën.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së rivarrosjes së eshtrave të Mid’hat Frashërit, Kryeministri Rama iu përgjigj të gjithë kritikëve, duke u kujtuar atyre se Mid’hati as nuk kreu ndonjë krim dhe as urdhëroi krime ndaj të tjerëve. Në fjalën e tij në ceremoninë zyrtare të kthimit në atdhe dhe varrimit të eshtrave të tij pranë vëllezërve Frashëri, kreu i qeverisë e cilësoi Mid’hat Frashërin një personalitet pa të dytë në historinë e elitave shqiptare, të cilat përgjithësisht kanë qenë të paqëndrueshme. “Mid’hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte dhe gjithçka mundi, shkruan panarama.

Ëndërroi dhe punoi pa u lodhur për këtë vend. Gaboi, patjetër që edhe gaboi, por ndër tërë sa bëri edhe në gabim, as nuk bëri vetë dhe as nuk nxiti kurrë me gojën apo me penën e tij një krim. Kështu që kush e sheh arkëmortin e tij sot këtu si një provokim ndaj një historie që e shkruan fitimtarët, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se sa krime, ndryshe nga Mid’hat Frashëri, bënë ata që e shkruan dhe na e mësuan ne me pahirin e gjysmë të vërtetës, historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos”, u shpreh Rama, duke krijuar jo pak pakënaqësi në radhët e së majtës.