Kastriot Islami: Edi Rama po tenton arratisjen në një shtet të sigurtë për të

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-kryetari i Parlamentit, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se kryeministri Rama ka vënë nën kontroll gjithçka, zgjedhjet, prandaj nuk ka rotacion demokratik të pushtetit, ndërsa opozita vepron nën kushtet e një diktature, ndërkohë, që reforma ën drejtësi ka dështuar, sepse qeveria e Rilindjes u përmes kompromentimeve, u ka mbyllur edhe gojën zyrtarëve të lartë të Brukselit dhe përfaqësuesve të tyre në Tiranë. Prof. Islami parashtron edhe tezat për reformën e re zgjedhore, që zgjedhjet të çlirohen nga krimi dhe shitblerja.

Qeveria “Rama”, përmes mashtrimeve dhe kompromentimit, ka arritur t’iu mbyllë gojën disa zyrtarëve të lartë në Bruksel e përfaqësuesve të tyre në Tiranë për; keqqeverisjen e vendit dhe lidhjet e qeverisë Rama me mafian e krimit e të trafiqeve, kultivimin e kanabisit dhe korrupsionin galopante

-Prof. Islami, nuk ka asgjë të re në Frontin kundër korrupsionit dhe krimit, sado përditë publikohen fakte konkrete, sa edhe policia arreston persona, porse gjykata i liron. Ku shkojmë, si shoqëri, si demokraci?

 Ky konkluzion që ju bëni provon qartas se Edi Rama ka vënë nën kontroll gjithçka:

  • zgjedhjet, prandaj nuk ka rotacion demokratik të pushtetit;
  • biznesin e madh, prandaj bizneset e vogla e të mesme po vdesin dhe oligarkët e qeveritarët e korruptuar po pasurohen dhe qytetarët po mbesin pa papunë e po varfërohen me shpejtësi;
  • median, që është kthyer në një aneks të Zyrës së Propagandës e të Dizinformimit publik, që mbron bëmat e Edi Ramës e të qeverisë së tij dhe sulmon, shan dhe ofendon opozitën e kundërshtarët;
  • shoqërinë civile, që ose ka vdekur, ose është vënë në shërbim të plotë të oligarkisë lokale, si zgjatimi i establishmentit global;
  • Dhe më së fundmi Prokurorinë e Drejtësinë, që mbron politikanët e korruptuar, kriminelët e trafikantët e lidhur me Ramën e qeveritarët e tij dhe burgos e prangos opozitarët e kundërshtarët e regjimit duke filluar nga qytetari më i thjeshtë që prangoset se shet një tufë me spinaq dhe deri të opozitari që proteston për të drejtat e tij të dhunuara. Dhe i gjithë ky regjim është ngritur për të paralizuar përmes papunësisë e varfërisë veprimin qytetar dhe për të vrarë përmes veprimeve policore reagimin e protestën qytetare.

-Përse nuk vepron opozita dhe përse nuk veprojnë qytetarët?

 Qeveria Rama është kthyer në një regjim autoritar, antipopullor, policor e represiv që ja ka mbyllur opozitës të gjithë rrugët e veprimit institucional në Kuvend, duke i mohuar funksionin vendimmarrës, dhe duke e penguar të kryejë funksionet e saj hetimit e kontrollit parlamentar, apo deri edhe duke e goditur për fjalën e lirë. Qeveria Rama ka tentuar të godasë fuqimisht shpirtin e protestës e të reagimit qytetarë, duke i nënshtruar qytetarët përmes papunësisë e varfërimit të tyre dhe duke i kërcënuar përmes veprimit policor e duke i friksuara përmes veprimeve të grupeve kriminale të lidhura me qeverinë. Qeveria Rama e ka vrarë shpresën të gjithë shqiptarëve, duke ju lënë të lirë vetëm një rrugëdalje, emigrimin dhe kthyer Shqipërinë në vendin e parë në botë si azilkërkues në vendet e BE. Qeveria Rama, përmes mashtrimeve dhe kompromentimit, ka arritur t’iu mbyllë gojën disa zyrtarëve të lartë në Bruksel e përfaqësues të tyre në Tiranë për keqqeverisjen e vendit dhe lidhjet e qeverisë Rama me mafian e krimit e të trafiqeve, kultivimin e kanabisit dhe korrupsionin galopante që po fundos ekonominë e vendit.

-Po atëherë çfarë do të mund të ndodhë në këto kushte?

 Të gjithë këto tregojnë se vendi është në udhëkryq për të mos thënë ka rrëshqitur drejt humnerës i pashpresë. Demokracia është në rrezik të madh dhe ekonomia drejt rrënimit të pakthyeshëm. Qytetarëve të pashpresë ju kanë mbetur tre rrugë:

  1. i) t’i nënshtrohen një regjimi diktatorial, që shumë shpejt mund të vendoset në vend;
  2. ii) të emigrojnë, por çdo ditë dyert e emigrimit po ju mbyllen egërsisht;

iii) ose të shpërthejnë në revolta të papërmbajtshme dhe me pasoja të paparashikueshme.

-Prof. Islami opozita kërkon të çlirojë zgjedhjet nga krimi dhe shitblerja. Ju si mendoni se kjo mund të arrihet? A mund ta realizojë reforma e re zgjedhore?

 Nga informimi publik kam përshtypjen se opozita ka përcaktuar agjendën e saj bazuar në dy “hapa” apo në dy faza:

– Hapi i parë synon largimin e Ramës nga drejtimi i vendit. Ky është objektivi i fazës së parë.

– Hapi i dytë synon zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe krijimin e kushteve për konkurrim të barabartë dhe ndërtimin e një parlamenti legjitim, cilësor e të gjithëpranuar.

Opozita ka ndërmarrë disa veprime diskredituese të qeverisjes Rama dhe po dialogon me qytetarët për të realizuar synimin e përcaktuar në hapin e parë. Rama duket shumë i dobësuar e lodhur, gati gati në largim, por ende nuk duket qartë se kur ky objektiv do të realizohet dhe në çfarë mënyre konkrete do të realizohet; madje shumë vetë e shikojnë të vështirë deri të pamundur realizimin e këtij objektivi para zgjedhjeve vendore.

  • Çfarë konkretisht do të duhet të kërkojë opozita për reformën zgjedhore?

 Opozita për realizimi i hapit të dytë, pra të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme natyrisht do të kalonte, ndër të tjera edhe përmes kryerjes së ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, gjithëpërfshirëse e konsensuale. Përmes këtyre ndryshimeve opozita ka kërkuar të realizohet:

  • ndalimi i blerjes së votave,
  • largimi i individëve me rekorde kriminale;
  • shkatërrimi i kapjes së shtetit nga oligarkia;
  • identifikimi biometrik i votuesve;
  • votimi dhe numërimi elektronik;
  • kontrolli i shpenzimeve financiare gjatë fushatës elektorale;
  • ndalimi i përdorimit të mjeteve administrative gjatë fushatës elektorale;
  • eventualisht edhe ndryshime në sistemin zgjedhor;
  • si dhe për pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhje, temë që duhet së paku diskutuar e debatuar dhe të cilës duhet t’i jepet një zgjidhje, e tjerë e tjerë;
  • përfshi edhe reflektimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE-ODHIR.
  • -Shumë kritika adresohen për Opozitën pse nuk organizon protesta të fuqishme, derisa përditë korrupsioni është galopant, dhe bashkëpunimi i qeveritarëve me Botën e Krimit është konkret. Cili është mendimi juaj: Opozita ka strategji të qarë bindëse opozitare?

     Përgjigja e kësaj pyetjeje duhet trajtuar në dy plane:

    Së pari, veprimet e këtij regjimi autoritar, oligarkik e kriminal kanë synuar jo vetëm të vendosin nën kontroll gjithçka, por edhe të shkatërrojnë apo vrasin çdo element të veprimit opozitar e deri qytetar dhe të shkatërrojnë apo kompromentojnë çdo alternativë brenda maxhorancës, por veçanërisht jashtë saj, për të krijuar idenë se opozita është e dobët, e fragmentuar, pa ide e alternativë, e kompromentuar, fasadë dhe e paaftë për të marrë pushtetin dhe kundërshtarët nuk ekzistojnë. Ky është një veprim tipik i regjimeve diktatoriale. Kur qytetarëve ju shpjegon se jemi në kushtet e një regjimi ekstrem autoritar të një pakice të korruptuar e të lidhur me krimin, që ka vrarë opozitën dhe po eliminon të gjithë kundërshtarët, ju duket ekzagjerim dhe e kanë të vështirë ta pranojnë. Nga ana tjetër, shumica e qytetarëve nuk e durojnë më këtë gjendje dhe i fajësojnë të gjithë pa përjashtim, e konsiderojnë parlamentin të degjeneruar, e konsiderojnë qeverisjen të korruptuar e të inkriminuar, e konsiderojnë maxhorancën të ezauruar por ndërkohë nuk shikojnë zgjidhje alternative e janë pa shpresë se mund të zgjidhin hallet e shqetësimet e tyre, ankohen çdo ditë se janë të papunë, se po varfërohen në ekstrem, duan të largohen nga vendi se nuk kanë besim te askush e ndjehen të rrezikuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Pra vetëm po të analizohen racionalisht se çfarë thonë qytetarët në emisionet televizive të mëngjesit mjafton për të nxjerrë përfundimet e mësipërme.

    Së dyti, opozita po përpiqet të veprojë në kushtet ekstreme të ekzistencës së saj, kur Kuvendi ka “vdekur”, kur media është nën kontrollin e qeverisë, kur shumë nga bizneset e mëdha janë kthyer në shtojca klienteliste të qeverisë, kur shoqëria civile është bërë zgjatim i oligarkisë dhe mbron më shumë kriminelët e trafikantët sesa qytetarët, dhe drejtësia është në shërbim të interesave politike e personale të Ramës. Në këtë këndvështrim detyra e opozitës është e jashtëzakonshme dhe veprimi i saj është gati gati i pamundur brenda nomenklaturës së veprimeve të një opozite në një vend demokratik, qoftë edhe me demokraci të dobët apo jo-funksionale. Opozita duhet të veprojë në kushtet e një diktature që fasadën dhe retorikën e ka demokratike. Natyrisht që në këto kushte sfidat e opozitës janë shumë të mëdha dhe organizimi dhe veprimet e saj duhet të jenë shumë më të ndryshme nga ato që ka kryer deri më sot dhe që ka planifikuar deri tani për të qenë shumë më efikase.

    – Ka dështuar Reforma në Drejtësi?

     Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur më mirë se kushdo disa senatorë amerikanë, media amerikane dhe organizata konservatore e djathtë Judicial Watch. Ata kanë ngritur shqetësimin se janë keqpërdorur paratë e taksapaguesve amerikanë për të “ndihmuar Edi Ramën të vijë në pushtet” por edhe të “vendosë nën kontroll politik sistemin e drejtësisë përmes reformës zgjedhore” për të “mbajtur pushtetin”. Kurse shqiptarët shikojnë qartas dhe nuk kanë nevojë as për deklaratat politike të opozitës dhe as deklarimet e disa përfaqësuesve ndërkombëtarë përgjegjës për situatën e krijuar se për shkak të kësaj reformë vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Se Prokurorja e Përgjithshme u emërua si e përkohshme, por prej më shumë se një viti po largon prokurorë që kishin në dorë dosje të rëndësishme dhe po emëron prokurorë që po lirojnë kriminelë e trafikantë të lidhur me qeveritarët, po mbyllnin dosjet e kultivimit të kanabisit dhe të trafiqeve të drogës, nuk po godasin kurrupsionin e nivelit të lartë të lidhur me qeverinë dhe po lirojnë deputetë e zyrtarë të lartë të lidhur me Ramën, madje, edhe kur dosjet e tyre janë plot me fakte e prova nga partnerët ndërkombëtarë. Fatkeqësisht Rama nga frika e ndëshkimit të tij personal dhe të klientelës së tij të ngushtë e ka keqpërdorur reformën e drejtësisë, me ndihmën edhe të ndonjë zyrtari të lartë apo përfaqësuesi ndërkombëtarë të kompromentuar, për të paralizuar përgjithësisht sistemin e drejtësisë apo në disa raste për të vënë nën kontroll politik e personal atë. Këto fakte flasin vetë dhe qartë që reforma në drejtësi nuk ja ka arritur qëllimit, ndërkohë që Rama ja ka arritur qëllimit të tij për të paralizuar gjyqësorin, apo për ta vënë atë nën kontrollin e tij.

    -Ka rrugëzgjidhje për të Reformuar Drejtësinë?

     Mendoj se rrugëzgjidhja ekziston. Largimi i Ramës nga drejtimi i qeverisë, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, ndëshkimi i Ramës dhe të gjithë klientelës së tij e konfiskimi i pasurive të paligjshme e kriminale do të ishin vetëm disa nga elementët që do t’i hapnin rrugën edhe rikthimit të reformës në drejtësi në shinat e saj.

    -A mund të këtë zgjedhje të lira me kryeministrin Rama?

    Unë kam shumë besim që demokracia në Shqipëria do të rivendoset në shinat e saj. Rama jo vetëm do të largohet nga pushteti, por edhe do të ndëshkohet shumë rëndë. Shpresoj që qeverisja e ardhshme të mos lejojë as atë, dhe as bashkëpunëtorët e tij të arratisen nga vendi dhe pronat e pasuritë e tyre të paligjshme të fshehura brenda vendit apo në llogari off shore t’iu konfiskohen të gjitha. Rama e ka kuptuar se ky fund po vjen dhe prandaj po teston, edhe duke ndjekur me shumë vëmendje “rastin Gruevski”, të gjitha rrugët e arratisjes së tij të sigurt dhe gjetjen e një vend-qëndrim të sigurt për azilin politik sepse e tmerrojnë qoftë ndëshkimi në Shqipëri, qoftë opsioni i bredharakut apatrid nëpër botë, pra kthimi në identitet.