Hetim për tenderat e KESH. Parregullsitë i gjen Sekretariati i Energjisë në Vjenë

Sekretariati i Energjisë në Vjenë ka vënë nën hetim Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare për manipulim në tenderat për shitjen dhe depozitimin e energjisë elektrike.

Përmes një shkrese zyrtare, që mban datën 18 tetor, Sekretariati ka kërkuar bashkëpunimin e Autoritetit të Konkurrencës për të hetuar akuzat e rënda, të cilat i kanë mbërritur nga një kompani private.

“Ankuesi pretendon se KESH ka zbuluar te dy firma të privilegjuara ofertat e kompanive të tjera, duke u dhënë mundësi të ulin çmimin me diferenca minimale”, thuhet në të.

Sipas shkresës, përveç zbulimit të ofertave në tender, te dy operatorë privatë, KESH dyshohet se ka kryer praktika të jashtëligjshme edhe me depozitimin e energjisë. Aktualisht, KESH ka kontrata ekskluzive me dy kompani private për depozitimin e energjisë, të cilat dyshohen se janë përdorur për të transferuar të ardhura nga KESH te privatët, përmes një skeme që sqarohet me hollësi në shkresën e Sekretariatit.

“Operatori privat merr më shumë energji nga sa është kontraktuar gjatë periudhës pik, ku çmimi është më i lartë, dhe e shet atë në treg, ndërkohë që merr më pak gjatë periudhës jo-pik, ku çmimi është më i ulët”, thuhet në shkresë.

Sipas dokumentit, përmes ndryshimit të sasive në periudhat me ngarkesë të lartë dhe të ulët, KESH ka humbur të ardhura të konsiderueshme, të cilat kanë shkuar te kompanitë private.

Vetëm gjatë këtij viti, KESH ka shitur rreth 50 milionë euro energji elektrike. Në shkresën drejtuar Autoritetit të Konkurrencës, Sekretariati thotë se disponon disa të dhëna për transaksionet e energjisë mes KESH dhe dy operatorëve që dyshohet se janë favorizuar.

Por, ai i kërkon Autoritetit që të përdorë fuqinë ligjore për të marrë kontratat e depozitimit mes KESH dhe këtyre dy kompanive. Burime konfidenciale nga Autoriteti i Konkurrencës konfirmuan për Top Channel nisjen e hetimit të përbashkët. Sipas tyre, aktualisht po verifikohen të gjithë tenderat e shitjes së energjisë nga KESH gjatë viteve 2017-2018, çmimet me të cilat është shitur dhe operatorët fitues. /Top Channel