Dardha “fundoset” nën borë

Mbrëmjen e së dielës, trashësia e borës në Dardhë mbërriti deri në 1 metër, duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e automjeteve. Edhe pushuesit, që zgjodhën pikërisht Dardhën për të kaluar fundjavën, e patën thuajse të pamundur të largohen.

E ndërsa reshjet e borës kanë mbuluar tashmë edhe qytetin e Korçës, ku temperaturat u ulën ndjeshëm pasditen e së dielës, vështirësi në lëvizjen e automjeteve nuk janë raportuar. Probleme, gjithsesi ka pasur në zonën e Mokrës, ku si pasojë e motit të keq është ndërprerë energjia elektrike.

Po mbrëmë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore u kërkuan drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal, kryesisht në akset Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë dhe Korçë-Kapshticë, si dhe të zbatojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të policisë.

Ndërkohë, edhe autoritetet greke në pikëkalimin kufitar të Kapshticës njoftuan bllokimin e këtij aksi në pjesën greke të territorit, duke ndaluar qarkullimin e autobusëve për shkak të motit të keq, e duke lejuar vetëm kalimin e veturave, gjithnjë të pajisura me zinxhirë.