Bullgarët protestojnë kundër varfërisë duke thirrur “Mafia!” dhe “Dorëheqje!”

Mijëra bullgarë bllokuan rrugët kryesore dhe pikat e kalimit kufitare me Turqinë dhe Greqinë të dielën, 18 nëntor) në shenjë proteste kundër çmimeve të larta të karburantit por dhe standardeve të ulëta të jetesës, në vendin më të varfër të Bashkimit Europian.

Protestuesit bllokuan për orë të tëra pika të ndryshme të autostradave përpara se policia paraushtarakenisi të shpërndante turmat raportoi radio publike BNR, një ditë pasi protesta të ngjashme u mbajtën edhe në Francë.

Tensionet u agravuan në autostradën Maritsa që të çon në pikat kufitare me Turqinë kur protestuesit arritën të thyenin një kordon policor.

Rreth 2,000 oficerë të sigurisë u angazhuan për të ruajtur sigurinë në ditën e dytë të mitingjeve që të dielën shpërthyen në dhjetra qytete ndërkohë mësohet se sot janë planifikuar më shumë protesta.

Sot, mediat bullgare shkruajnë se 11 persona janë ndaluar.

Në kryeqytet Sofje dhjetra protestues marshuan përgjatë bulevardeve duke thirrur “Mafia!” dhe “Dorëheqje!”, dhe duke bllokuar trafikun.

Demonstratat e fundjavës filluan tre javë pas rritjes së çmimit të karburanteve dhe rritjes së planifikuar të taksave mbi automjetet e vjetra, po kështu protestohet dhe për pagat e ulëta dhe pensionet e ulëta.

Shumë protestues kërkuan dorëheqjen e koalicionit të kryeministrit konservator Boyko Borisov.

Ndërkohë aleatët nacionalistë të kryeministrit, riafirmuan mbështetjen e tyre për kabinetin në fundjavë pas dorëheqjes së një prej zëvendës-kryeministrave të tyre të premten, shkruan AFP