Bora mbulon Dardhën dhe Korçën

Fshati turistik i vizituar së shumti në zonën e Korçës, Dardha, aktualisht ndodhet në gjëndje të rënduar për shkak të reshjeve të mëdha të borës.

Mjetet e pastrimit të dëborës e kanë të vështirë të shkojnë në zonë për shkak të terrenit mjaft të thepisur. Si pasojë e rënies së ortekut rruga është bllokuar, ndërsa një shtyllë ka rënë në tokë.

Pak orë më parë në Dardhë kanë ikur dhe dritat, duke e bërë qëndrimin në zonë mjaft të vështirë.

Deri më tani dy borëpastruese kanë arritur në zonën ku ka rënë orteku dhe po pastrojnë dëborën e cila ka mbuluar thuajse gjithçka.

Në qytetin e Korçës gjithashtu situata është shfaqur problematike për shkak të reshjeve të shumta të dëborës. Ka patur mjaft raportime për shkëputje të energjisë elektrike si dhe për faktin se në brendësi të qytetit borëpastrueset nuk kanë ardhur për të kryer detyrën.

Më poshtë disa nga fotot e qytetit që prej 3 ditësh është prekur nga dëbora.