Bieta Sulo flet hapur për rivalitetin me Rudina Magjistarin

Ato prezantojnë që të dyja emisione pasditesh, në të njëjtën orë dhe me formate deri diku të ngjashme.

Por Bieta Sulo, moderatorja e emisionit “Ftesë në 5” në Top Channel, e ka të qartë mendimin e saj për Rudina Magjistarin e Klanit.

Kështu e ftuar në “Thumb”, ajo tregoi se si iu besua emisioni, duke thënë se ishte drejtuesi i televizionit Ben Blushi, ai që i propozoi.

Por ajo tha se kërkesa e vetme që kishte ishte që të kishte një ide të saj për pasditen dhe një markë që të mbante emrin e Bieta Sulos.

“Normalisht është emision i ri, orar i ri. Nuk pati hezitim për ta pranuar. Për sa i përket konkurrencës, duke qenë se jam përballë Rudinës gjithmonë u them njerëzve se “Ajo nuk e ka ngrënë bukën kot” gjithë këto vite. Shumë autorë, shumë moderatore në emisionet e pasditeve janë ndërruar dhe kjo krijon paqëndrueshmëri tek publiku. Ndaj them se ajo nuk e ka ngrënë bukën kot por edhe nga televizioni ka qenë hapësira e lënë bosh”, u shpreh Bieta.