Berisha: Sapo ish-ministri Xhafaj filloi “kafshimin” e bandës së PS, e larguan

Ish kryeministri Sali Berisha deklaron se arsyeja e vërtetë e largimit të ish Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është “kafshimi” i tij.

I ftuar në emisionin 5 pyetje nga Babaramo, Berisha tha se Fatmir Xhafaj nisi të kafshojë disa eksponentë të rëndësishëm të PS-së, përfshi këtu dhe kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, i cili sipas ish kryeministrit do të arrestohej. Kjo është arsyeja sipas Berishës, që Rama vendosi ta largojë nga detyra.

“Xhafaj filloi “të kafshojë” ndaj u largua. Për këtë shkak u bë i rrezikshëm për Ramën. Kë do kafshonte? Ai kërcënoi me “kafshim” Gjiknurin, Ahmetajn. Këta janë të gjithë të lidhur me krimin. Edhe Klosi është i lidhur me krimin.

Ne e sulmonim sepse ai përdori metoda të sigurimit të shtetit me Ardi Veliun duke mbrojtur vëllain e tij. Ajo që bëri me çështjen Babale duke manipuluar provat e bën që të kalbet në burg.

Pse iku ai në një mënyrë krejt mafioze? Ai iku dhe nuk dha asnjë sqarim. Bëri edhe disa kërcënime dhe mbylli gojën. Shqiptarëve nuk u është thënë ende pse iku ministri i Brendshëm. Cili ishte mesazhi që dha Rama me largimin e Xhafës? Ky u arrestoi, por unë e qërova” – tha Berisha.