Barcelona ultimatum Dembele-s: Ndrysho sjellje, ose do të pezullohesh!

Ousmane Dembelé nuk po kalon aspak një moment të mirë te Barcelona. Sipas të përditshmes katalane “Sport”, sulmuesi francez, i lënë jashtë skuadrës nga Valverde për ndeshjen me Betisin, ka marrë një ultimatum nga drejtuesit e klubit: ose duhet të ndryshojë qëndrim, ose do të përjashtohen nga organika për ndeshjet e ardhshme.

Trajnerit Valverde, por edhe senatorëve të ekipit, u ka ardhur në majë të hundës nga sjellja e kampionit të botës. Dembelé, që synohet nga Liverpooli në merkaton dimërore, e ka patur shumë të vështirë për t’u përshtatur me ambientin në kryeqendrën e Katalunjës, ku madje është akuzuar nga qiradhënësi se nuk ka paguar 20 mijë euro qiranë e banesës dhe se ka shkatërruar mobiliet.

Një sjellje vërtet e çuditshme nga futbollisti që i ka kushtuar Barcelonës një shumë të majme parash, pikërisht për të zëvendësuar të larguarin Neymar.