Skocezët e dashuruar rrëmbejnë vëmendjen e ndeshjes Shqipëri-Skoci

Takimi i Ligës së Kombeve ndaj Shqipërisë, solli një dyndje të skocezëve, që përveçse haresë që sollën në Tiranë dhe jo vetëm, arritën të vizitojnë edhe disa nga vendet më të bukura që vendi ynë i zotëron.

Të veshur me veshjen e tyre tradicionale dhe pozitivitetin që përcillnin, ata arritën të tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve. Por ata që ranë më shumë në sy, ishte një çift i moshuar. Edhe pse gruaja e tij është e paralizuar dhe qëndronte gjatë gjithë kohës në karrocë, dashuria dhe përkushtimi i bashkëshortit të saj nuk mungonte. Ai e merrte kudo bashkëshorten e tij, teksa janë edhe tifozët më besnikë të kombëtares së tyre.

Këtë herë ishte Shqipëria destinacion i  Skocisë dhe çifti i të moshuarve nuk kishte si të mungonte kurrsesi. Ata ishin prezent në takimin e “Loro Boriçit” të fituar nga skocezët me shifrat e thella 4-0. Në fotografitë e siguruara, dashuria e çiftit për njëri-tjetrin duket e madhe. Ajo shfaqej edhe kur skuadra shënonte në fushën e blertë, ku mes tyre kishte shkëmbime përqafimesh.

Fotografi që japin mesazhe të forta për çiftet, ku dashuria për njëri-tjetrin duhet të triumfojë pavarësisht vështirësive që njëri prej tyre kalon.