Petrit Vasili: Borxhi publik si piramidë dhe krim shtetëror

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili e cilëson borxhin publik të akumuluar nga qeveria “Rama” të ngjashëm me skemat piramidale, duke shtuar se drafti në fjalë përbën krim shtetëror.

“Shqipëria është mbërthyer qartazi në darën e një qeverisjeje që krijon çdo çast ekonomi të asfiksuar dhe pa asnjë vizion, grabitje të financave publike dhe thellimin e një borxhi publik dërrmues për një vend me amortizatorë ekonomikë dhe socialë kaq të dobët si Shqipëria.

Ky falimentim i politikave ekonomike është edhe shkaku themelor i braktisjes tragjike të vendit nga shqiptarët dhe rikthimi në këto dimensione i këtij fenomeni braktisjeje të vendit, të ngjashëm me atë të fund viteve ‘90, që është vërtet i frikshëm për të sotmen dhe të ardhmen.

Istitucionet më autoritare të globit si FMN, shto këtu edhe Bankën Botërore, apo deri edhe Ambasadën e SHBA në Tiranë, kanë lëshuar alarme të thekshme dhe të njëpasnjëshme për koncesionet dhe borxhin e fshehur që vjen prej tyre, dhe për efektin shkatërrimtar që do të ketë një borxh i tillë.

Ky borxh i fshehur është një krim i vërtetë shtetëror ndaj të cilit mbyllja e syve nga prokuroria është edhe më kriminale.

Analistët mediatikë shqiptare gojëmbërthyer dhe penëthyer nga kockat e koncesioneve, lejeve të ndërtimit, e gjithëfarë menuje, që rilindja u blaton në pjatë, nuk analizojnë “dot” këtë krim dhe tragjedi që gatuhet para syve të të gjithëve.

Borxhi publik, si piramidë financiare, natyrshëm fatin dhe rënien e ka të paracaktuar, por do të bjerë mbi ne të gjithë, ndërkohë  që qeveria, që e ngriti këtë piramidë, do të jetë në mërgim dhe analistëve do t’u mbetet pena e thyer në dorë dhe shija e largët e një kocke të lëpirë e ripërtypur dikur.

Faktet objektive janë aty. Ja çfarë thotë FMN:

“Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik”.

FMN vlerësonte se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).”

Nëse këtë ia shtojmë borxhit aktual prej rreth 72% të PBB-së, atëherë niveli real i tij mund të ngjitej në gati 80% të PBB-së!

Po pikërisht kjo qeveri e Rilindjes, që fsheh sot borxhin kur merrte pushtetin në 2013, deklaronte me zë të lartë borxhet e fshehura të qeverisë së mëparshme dhe ja çfarë deklaronte kur merrte 375 milion euro kredi nga FMN:

“Në pamundësi për t’iu përgjigjur shpenzimeve të larta, në kushtet e mungesës së lartë të përgjegjësisë nga ana e qeverisë,u akumuluan qindra fatura të papaguara. Rreth 6% e GDP ishte borxh i fshehur dhe bashkë me të, borxhi publik në total shkoi në rreth 70%. Pjesa më e madhe e pagesave të prapambetura ishin investime publike, por dhe shpenzime në arsim, shëndetësi, vonesa të gjata në kompensime të TVSH dhe në pagesat e taksës mbi fitimet”.

Morali është i qartë: katastrofën e kemi tek dera dhe hajdutët qeveritarë të papërgjegjshëm të gatshëm që ta çojnë deri në fund i kemi përpara syve”- shprehet kreu i ligjvënësve të LSI-së në reagimin e tij.