Meta në Mexhitli e Nakolec: Shqiptarët s’do jenë kurrë vetëm

Në kuadër të vizitës që po zhvillon prej dy ditësh në Manastir (Maqedoni), Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta u ndal sot në fshatin Mexhitli të Manastirit, një nga fshatrat me shumicë shqiptare në Maqedoni, një fshat skajnor etnik shqiptar, pothuaj 1 km larg kufirit me Greqinë.

Presidenti Meta u prit nga autoritetet vendore si dhe nga qindra banorë, pasi vizita e Metës në Mexhitli mbetet e para e një Presidenti shqiptar.

Banorët u shprehën njëzëri: Falënderojmë Presidentin Meta për vëmendjen e kujdesin që tregon ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Nga ana e tij, Presidenti Ilir Meta u garantoi banorëve se jo vetëm ata, por të gjithë shqiptarët në Maqedoni nuk janë vetëm.

“Ju dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk do të jeni vetëm. Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush. Ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve. Kruja, Vlora, Prizereni e Manastiri janë qytetet më të rëndësishme për ne shqiptarët”- theksoi ndër të tjera, kreu i Shtetit Shqiptar, Ilir Meta.

Ndërkaq, lidhur me këtë vizitë, Presidenti Ilir Meta do të publikonte në rrjetet sociale edhe disa foto nga takimet me banorët e fshatitn Mexhitli të Manastirit, ku ndan dhe përshtypjet me ndjekësit e tij në “Facebook”

“Nder dhe privilegj i veçantë të takohesha sot me vëllezërit tanë të fshatit Mexhitlije në Manastir, aty ku buron uji i thartë Peristerka dhe ku shqiptarët jetojnë prej shekujsh në trojet e tyre etnike”- shprehet Presidenti Ilir Meta.

Me pas Ilir Meta ka postuar në facebook një shënim: Një takim mjaft i përzemërt me shqiptarët e Mexhitlije (Manastir), fshatit më skajor në kufi me Greqinë. Ndamë së bashku bindjen se kohë më të mira po vijnë edhe për ta, me perspektivat e reja të anëtarësimit në NATO të Maqedonisë dhe çeljes së negociatave me BE vitin e ardhshëm. Mirënjohje të gjithë atyre që qëndruan në kohë të vështira si shqiptarë dhe ruajtën me krenari gjuhën kombëtare, Alfabeti i së cilës u themelua në Manastir për t’i bashkuar shqiptarët kudo.

Njoftimi zyrtar i Presidencës për takimet e sotme

Presidenti Meta viziton fshatrat Mexhitli dhe Nakolec në Maqedoni: Vëllezërit dhe motrat shqiptare, po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe. 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, pas vizitës në Manastir me rastin e 110-vjetorit të Kongresit historik të Gjuhës Shqipe, vizitoi sot edhe fshatrat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni: Mexhitli dhe Nakolec.

Kreu i shtetit shqiptar, gjatë vizitës në fshatin me shumicë banorësh shqiptarë të Mexhitlis, u takua përzemërsisht dhe bashkëbisedoi ngrohtësisht me autoritetet vendore dhe banorët e zonës.

“Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush, sepse ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve!”, – iu drejtua Presidenti Meta banorëve të fshatit, duke shtuar se në historinë e kombit tonë Kruja, Prizreni, Manastiri dhe Vlora janë qytetet më të rëndësishme për ne, shqiptarët.

Autoritetet vendore dhe banorët e zonës i shprehën mirënjohjen dhe falënderuan Presidentin e Republikës për vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm që tregon ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Ndërsa në fshatin Nakolec, buzë liqenit të Prespës, Presidenti Meta u ndal në Teqenë “Dervish Ali”, duke vënë në dukje se kjo është një vatër e rëndësishme, jo vetëm fetare,  por edhe e ruajtjes së vlerave, traditave, gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar.

“Është kënaqësi e veçantë të vizitoj sot Nakolecin e Prespës, dhe të ndodhem mes vëllezërve e motrave shqiptare, që po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe.

Diaspora shqiptare e Nakolecit asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen dhe kombin, duke dhënë kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm për ruajtjen e traditave tona kombëtare”, – nënvizoi Presidenti i Republikës.