Kryemadhi: Opozita në bllok kundër Rilindjes, ja si do i zgjedhim kandidatët

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në qytetin e Sarandës ka deklaruar se bashku me frontin opozitar ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 30 qershorit.

Kryemadhi tha se strukturat e LSI në qytetin e Sarandës në bashkëpunim dhe me strukturat e Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane, Partisë Agrare dhe të gjitha partive të tjera të cilat janë pjesë e Frontit Opozitar do të rakordohen, sepse sipas saj: ‘është jashtëzakonisht e domosdoshme funksionimi dhe riorganizimi i strukturave tona si një bllok opozitar kundër një të keqeje shumë të madhe, që është qeverisja e një sekti kriminal si Rilindja’.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Kryemadhi tha se:  Ne tashmë jemi në një front opozitar. Do të shkojmë drejt marrëveshjeve të cilat do të hyjmë bashkarisht në zgjedhjet lokale, në përzgjedhjet e kandidatëve.

Partia Demokratike ka filluar punën e saj për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët duhet të jenë fitimtarë në të gjithë fushatën elektorale. Ashtu sikurse edhe ne si LSI kemi filluar dhe jemi në kontakte me strukturat dhe drejtuesit për përzgjedhjen e kandidatëve tanë.

Dhe do të shkojmë drejt përzgjedhjes së kandidatëve fitues, të cilët do të jenë fitues jo thjesht si përfaqësues të forcave politike, por do të jenë fitues në funksion të qytetarëve’, theksoi Kryetarja e LSI në takimin me strukturat e LSI së qytetit të Sarandës.

“Qeverisë së rilindjes, nuk i intereson integrimi i vendit sepse do të kushtëzonte jashtëzakonisht shumë veprimtarinë kriminale të saj”

Duke folur për procesin e integrimit evropian, nga qyteti i Sarandës, Kryetarja e LSI theksoi se Shqipëria gjithnjë e më shumë po u largohet angazhimeve në rrugën e saj drejt BE-së. Kryetarja e LSI-së the se Rilindjes nuk i intereson integrimi evropian i vendit, sepse kjo do të kushtëzonte jashtëzakonisht shumë veprimtarinë kriminale të saj. Kryetarja e LSI theksoi gjithashtu se integrim europian nuk do të thotë thjesht një flamur blu me yje, por do të+ thotë integrim ekonomik, arsimor, shëndetësor etj. “Çdo ditë që afrohet ne ikim më larg angazhimeve që merr Shqipëria drejt BE. Kjo ndodh sepse qeverisë së rilindjes, nuk i intereson  integrimi i vendit në BE sepse do të kushtëzonte jashtëzakonisht shumë veprimtarinë kriminale të qeverisjes së Rilindjes. Integrimi Europian do të kushtëzonte jashtëzakonisht shumë kontrollin mbi policinë dhe mbi ushtrinë të grupeve kriminale. Do të kontrollonte dhe do ta kufizonte akoma më shumë, qeverinë e Edi Ramës, ndaj vjedhjes së buxhetit të shtetit, ndaj koncesioneve me oligarkët, ndaj zhbërjes së sistemit arsimor, ndaj shkatërrimit të sistemit shëndetësor, pra për shëndetësinë falas, atë të famshmen që të gjithë e kemi dëgjuar. Por në fakt kur trokasim nëpër dyert e spitaleve, është një nga shërbimet më të shtrenjta që ka jo vetëm rajoni por dhe pjesa më e madhe e Europës. Pra është më shtrenjtë të kurohesh në spitalet shtetërore të Shqipërisë sesa të kurohesh në spitalet private të Italisë apo të Gjermanisë. Ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme, ne duhet të fillojmë të kuptojmë dhe të bëjmë diferencën midis asaj çfarë ndodh sot dhe asaj çfarë aspirojnë shqiptarët. Shqiptarët aspirojnë integrim sa më të shpejtë në BE. Shqiptarët aspirojnë që të jenë evropian të vërtetë. Nuk është e thënë thjesht një flamur blu me disa yje, por integrimi në BE do të thotë integrim ekonomik, do të thotë integrim arsimor, shëndetësor, integrim në të gjitha fushat e jetës. Dhe faktikisht integrimi evropian i Shqipërisë nuk ka të bëjë thjesht më një vendim të Parlamentit Europian, por ka të bëjë me mentalitetin që ne duam të instalojmë sot”, tha Kryemadhi në takimin me strukturat e LSI Sarandë.