Skocia turpëron 4-0 Shqipërinë në Shkodër, Panucci drejt shkarkimit

Kombëtarja shqiptare e mbyll me turp pjesëmarrjen e parë në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë e drejtuar nga Christian Panucci janë turpëruar 0-4 nga Skocia në sfidën e luajtur në stadiumin “Loro Borici”.

“Panucci ik” ishin thirrjet e degjuara në stadiumin “Loro Boriçi”, të kuptueshme pas një serie negative rezultatesh, një goleade që nuk ndodhte prej 25 vjetesh brenda mureve të shtëpisë dhe një 0-4 të turpshme në mbyllje të Liges së Kombeve përballe Skocisë. Asgjë nuk mund të legjitimojë shkërmoqjen e kuqezinjve të Christian Panucci në ndeshjen deçizive: idiotësia e Mavrajt vetëm sa i lehtësoi rrugën Skocisë në parakalimin triumfal në Shkodër, sepse ndeshja kishte marrë ndërkohë tatëpjetën. Asnjë ide, as nga garda e vjetër e as nga të rinjtë: skuadra e italianit vetëm skuadër nuk është. E paaftë të mbrojë e pazonja të shënojë: vetëm dy në 8 ndeshjet e fundit, me 16 gola të pësuar.

Kronika e ndeshjes

Ndeshja nisi mjaft mirë për kombëtaren tonë, teksa Eros Grezda është i papërmbajtshëm në krahun e majtë. Në minutën e 11-të, Memushaj jep një krosim fantastik në zonë për Uzunin, por talenti i kombëtares sonë nuk e arrin topin me kërcimin e tij brenda zonës. Miqtë ndërkohë tregohen cinik duke përfituar që në shansin e parë që ju krijua, për të kaluar në avantazh në minutën e 14-të.

Mesfushori i ekipit të Bournemuth në Premier League, Fraser dhuron spektakël në krahun e majtë, teksa asnjë prej futbollistëve tanë nuk i ndërhyn brenda zonës. Me një goditje të fortë me të djathtën, ai mposhti portierin Berisha. Kuqezinjtë tanë mundohen të reagojnë me Rey Manajn, por goditja e sulmuesit në hyrje të zonës është shumë e dobët në minutën e 18-të pa krijuar asnjë rrezik. Jo vetëm në disavantazh sa i përket rezultatit 0-1, por Shqipëria duhet të luajë edhe me një lojtarë më pak që nga minuta e 20-të.

Pas një faulli në mesfushë, mbrojtësi ka reaguar shumë keq ndaj një prej kundërshtarëve duke e plasur në tokë, pasi e goditi me kokë. Panucci vendosë të ndërhyjë menjëherë duke hedhur në fushë Ismajlin në vendin e Kace, duke dhënë idenë se kërkon që të mos humbasë ndeshjen me shumë gola.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, gjyqtari rus Bezborodov vëshëlleu për penallti pas prekjes së topit me dorë të Manajt. Stiven Flatcher shënoi nga pika e bardhë duke na shënuar golin e dytë.

PJESA E DYTE- Fraksioni i dytë i ndeshjes nisi mjaft mirë për kuqezinjtë, teksa Uzuni provoi me një depërtim në krahun e djathtë, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit të portës. Në minutën e 55-të, Skocia shënoi edhe golin e tretë me Forrest, pas një tjetër përgjumje në vendosjen në prapavijë të kuqezinjve.

Skocia nuk pushon së sulmuari, duke shënuar edhe golin e katërt, por Bates është në pozicion të parregullt në momentin që shtyn topin në rrjetë në minutën e 63-të. Dy minuta më pas Ledian Memushaj shfrenon fantazinë teksa provon nga një goditje e largët dënimi, që përfundon në tribunë. Miqtë dhurojnë spektakël duke shënuar edhe golin e katërt, Fraser pason në zonë për Forrest, i cili me një veprim të bukur arrin që të mposhtë portierin Berisha.

Në minutën e 76-të, miqtë i afrohen edh golit të 5-të me mesfushorin e Manchester United, McTominay, i cili gjeti traversën. Pas kësaj humbje Shqipëria zyrtarisht do të luajë në Ligën D në pjesëmarrjen e ardhshme, e cila është edhe liga më e ulët e këtij eventi.

Shqipëri-Skoci 0-4

Golat: Fraser 14’, Fletcher 45’+2, Forrest 55’, 68’

Shqipëria: Berisha, Veseli, Gjimshiti, Mavraj, Binaku, Memushaj, Xhaka, Kaçe, Uzuni, Grezda, Manaj.

Trajner: Christian Panucci

Skocia: McGregor, Paterson, Robertson, Bates, McKenna, McGregor, Forrest, Armstrong, Fletcher, Christie, Fraser.

Trajner: Aleks McLeish