Kosovë me “5 yje” ndaj Maltës, Avdijaj dhuron spektakël (VIDEO)

Përfaqësuesja e Kosovës regjistroi një fitore me goleadë në transfertën e Valletës ndaj Maltës, ku triumfoi me rezultatin e thellë 0-5 duke u konfirmuar si favorite për të mbyllur grupin në vendin e parë të renditjes.

Skuadra e drejtuar nga tekniku zviceran Bernard Challandes gjeti golin që në minutën e 15’ me anë të Vedat Muriqit, i cili shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Rashicës, për të dërguar topin në rrjetë.

Minutat në vijim ishin një dialog i vazhdueshëm mes futbollistëve të Kosovës me portierin maltez, i cili rezistoi deri në minutën e 70-të, kur Benjamin Kolollit i doli një top me fat dhe me gjakftohtësi dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje në formë parabole.

Këtu filloi edhe goleada e Kosovës, fillimisht me Donis Avdiajn, i cili dërgoi dy herë topin në rrjetë në minutat 78-ë dhe 80-të, duke gjetur edhe golat e parë me Kosovën, ndërsa më pas ishte Milot Rashica, që shënoi një gol nga një distancë e largët, për të kompletuar suksesin bindës.

Me këtë fitore Kosova mbetet në vendin e parë me 11 pikë në 5 takime, e ndjekur nga Azerbajxhani me 9 pikë në po kaq takime.