Kim Mehmeti: Edi Rama si Linda Morina

Shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti ndodhet në Tiranë për të promovuar veprën e plotë të tij të publikuar në 4 vëllime në panairin e librit. Në një intervistë për ”Ora News”, me gazetaren Beti Njuma, Kim Mehmeti tha se shqiptarët në Maqedoni shpesh herë ndihen si popull pa atdhe. Ai u shpreh kritik ndaj kryeministrit Edi Rama të cilin e krahasoi me Linda Morinën, ndërsa politikanët e BDI-së i quajti kokëtula. ”Shqiptarët në Maqedoni nuk mund të pretendojnë kurrë më shumë se kaq përderisa kemi një Shqipëri si kjo dhe një Kosovë si ajo. Çdo pushtetar në Maqedoni e di se të faktorizohen shqiptarët në Maqedoni u duhet të kenë një mëmëdhe të etabluar. Sepse shqiptarët në Maqedoni shpesh herë ndihen si popull pa atdhe. Ndodhi Kumanova, rasti i “Mostrës”. Ambasadori i Shqipërisë është i fundit që reagon. Tirana nuk ka reaguar. Si reagoi Greqia kur ndodhi vrasja e Kacifas, u çuan në këmbë të gjithë. Erdhën këtu e varrosën”,-tha Mehmeti.

Si reagoi Tirana kur ndodhi Mostra, apo vrasja e shqiptarëve atje?!

Që të jesh i fortë duhet të jesh i pastër, nuk është i fortë çdo njeri. Duhet të kesh çfarë të thuash. Duhet të të mos të mbyllin gojën. Ty të rrëzohen aeroplanët që marrin drogën dhe më shet parime e demokraci. Kryeministri i mëdhëeut tonë është Linda Morina sepse më të rëndësishme ka spektaklin, veshjen, të merret me kazanin që edhe ai është gatim i atij kazani, se nuk don të shtrohen pyetjet e vërteta që janë: Ku shkon kjo shqiptari?! Pse kjo shqiptari ec e copëtuar. Unë e di që shqiptaria nuk mund të bëjë Shqipëri të madhe.

Por dhe faktori shqiptar brenda maqedonisë nuk është se e ka ndihmuar kauzën shqiptare?

Kur vjen kryeministri i Shqipërisë në Maqedoni shkon takohet me kryetarin e BDI-së e PDSH-së. Hanë një drekë në Shkup, një drekë në Tetovë dhe kthehet në Shqipëri se shqiptarët janë në rregull. Kur vjen Kryetari i Serbisë në Kosovë, takohet me zyrtarët që është rregull, takohet me një prift me intelektualët. Kur kryeministri i Shqipërisë ka ardhur në Maqedoni dhe është takuar edhe me ndonjë intelektual shqiptar që të informohet?

Maqedonia për kryetarin e BDI-së është vërtet parajsë. Nëse kërkon të punësohen 100 vetë ia punëson. Se Maqedonia më mirë paguan shtrenjtë 200 shqiptarë sesa 700 mijë shqiptarëve tu japësh hisen e vet. E kjo këtyre kokëtulave nuk u shkon ndër mend. E shohin ata jetojnë të gjithë mirë, kryesuesit e BDI-së dhe nuk shkojnë për tej nuk dalin në pjesën e shqiptarëve të Shkupit, rrinë në restorante ku është bukuria e Shkupit. Të dalin ata ku jetojnë shqiptarët tronditen.

Kryesia e BDI-së janë aq të mençur sa kurrë nuk i çojnë atje, por në pjesën e bukur ku ushqimi është ushqim dhe çdo gjë është shdërruar tek ne një spektakël të madh. Është duke u mbuluar e vërteta aq mirë sa më në fund edhe popullin e hutuam dhe ata nuk e dinë se ku qëndron e vërteta. A janë mushkonja apo aeroplana.