Grezda: Faji nuk është i Panuccit, ndeshja më e vështirë në karrierë

Mesfushori Eros Grezda e ka cilësuar si humbjen më të rëndë të karrierës së tij, disfatën ndaj Skocisë me rezultatin 0-4. Mesfushori deklaroi se hasi vështirësi në pjesën e dytë.

“Loja u prish shumë shpejt, me një karton të kuq dhe me penallti. E nisëm ndeshjen mirë, por u ndëshkuam në dy raste. Mendoj se 11-metërshi e prishi takimin dhe nuk mendoj se duhej të jepej. Edhe pse nuk dua të komentoj për penalltinë, dua të them se ishte shumë e lehtë dhe s’besoj se duhej të jepej. Ishte shumë e vështirë për ne. Ka qenë ndeshja më e vështirë në karrirën time.

Fajin i Panuccit? Të gjithë kemi faj! Jemi 11 lojtarë në fushë dhe përgjegjësitë i mbajmë dhe ne, së bashku me trajnerin. Kur humbim, humbim të gjithë, kur fitojmë e njëjta gjë. Kartoni i verdhë? Isha shumë i tensionuar, pasi të humbasësh 4-0 përballë tifozëve tanë ishte shumë e vështirë. Isha shumë i nervozuar”, u shpreh Grezda.