Rimëkëmbja e Ballkanit Perëndimor, Lamallari: Luftë kundër terrorizmit

Zv.Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari mori pjesë në Forumin ndërkombëtar për sigurinë rajonale, të mbajtur në Budva të Malit të Zi, emërtuar ”Forumi i Rimëkëmbjes për Ballkanin Perëndimor”.

Në këtë takim 3-ditor, morën pjesë ministra të Brendshëm të vendeve të rajonit, si dhe zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, përkatësisht Zëvendësndihmës i Sekretarit, Zyra për Konflikte dhe Operacione të Stabilizimit, Pete Marocco, Zëvendës Koordinatori për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Christopher Harnisch.

Lamallari, duke diskutuar në panelin mbi ”Sfidat e Sigurisë Rajonale dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor”, theksoi se Shqipëria është vlerësuar si mbështetëse e fortë e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe se ka forcuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e sigurisë.

”Vendi ynë mirëpriti dhe Forumin e Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, gjatë të cilit u nënshkrua dhe Plani i Përbashkët i Veprimit për Luftimin e Terrorizmit”.

Më pas në një prononcim për mediat, zv.ministri Lamallari u shpreh se: “Në dritën e rritjes së forcave politike ekstremiste në Europë, bashkë me kërcënimet që paraqet ekstremizmi i dhunshëm, i demonstruar dhe me raste praktike agresioni, është e domosdoshme që çështje të tilla të trajtohen në aspektin ligjor si akte kriminale, nga agjencitë përkatëse. Politizimi i rasteve të tilla flagrante të ekstremizmit të dhunshëm, nën retorikën etno nacionaliste, është një qasje e gabuar dhe madje kundër produktive”.

Ai pohoi gjithashtu se dinamikat rajonale të kërcënimeve të tilla diktojnë nevojën e bashkëpunimit mes të gjitha vendeve të rajonit. Duke iu referuar nevojës dhe rëndësisë së përfshirjes së Kosovës në nisma të përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare, Lamallari tha se:

“Një rajon i sigurt dhe i qetë, në marrëdhënie të mira fqinjësore mund të funksionojë si i tërë, pa ”hapësira të errëta apo të pambuluara” nga bashkëpunimi rajonal”. Forumi i Budva-s u organizua nga Instituti Ndërkombëtar Republikan me qendër në SHBA, i cili bashkëpunon ngushtë me DASH dhe agjenci të tjera amerikane.