Dekretimi i Lleshit, Presidenti Ilir Meta: Kemi kohë deri në darkë

Kreu i shtetit, Presidenti Ilir Meta është pyetur sërish nga gazetarët në lidhje me dekretimin e Sandër Lleshit si ministër të Brendshëm.

Herën e parë, presidenti Meta e hodhi poshtë propozimin e Edi Ramës për ministrin e Brendshëm, por kryeministri vendosi që të dërgojë sërish të njëjtin emër, pasi e emëroi dhe zv/ministër. “Kemi kohë deri në darkë, kur të komunikoj me gazetarin Arjan Çani. Tani po shkoj në zyrë’, është shprehur presidenti Ilir Meta për gazetarët.

Ishte data 9 nëntor kur kryeministri Edi Rama e çoi për të dytën herë emrin e gjeneralit në Presidencë si propozim për ministër të Brendshëm. Ai deklaroi se bashkëngjitur kërkesës do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.

Nga ana tjetër Presidenti Meta i dërgoi një letër Ministrisë së Mbrojtjes më 9 nëntor ku nëpërmjet 14 pyetjeve i kërkonte informacion për Sandër Lleshin dhe statusin e tij në Forcat e Armatosura. Në letrën e tij për ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Kreu i Shtetit thoshte se duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, emërimi Sandër Lleshit në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese pasi është ushtarak aktiv. Por më 12 nëntor, shefi i qeverisë, i përgjigjej pyetjeve të Metës me një shkresë të gjeneral Sandër Lleshit për ta çdekretuar nga grada e tij, në mënyrë që të ishte brenda normave kushtetuese për Ministër të Brendshëm.

Dy janë skenarët kushtetues që do aplikojë Presidenti Meta deri sonte në darkë. Kaq thuhet nga analistët politikë. Brenda këtyre dy skenarëve duhet të jetë përgjigja zyrtare.

Ka një shprehje popullore “e treta e verteta!”. Duket se mund të shkohet te e treta. Por akoma nuk dihet saktë, sepse presidenti e la hapur kur tha se kemi kohë deri në darkë.

Nga burime, që nuk duan të dalin në media, treguan se sot paradite ka mbërritur diçka interesante në presidencë për Sandër Lleshin.