Ambasadorja Faber: Si i solla eshtrat e Mid’hatit nga SHBA në Shqipëri

Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, tregon të gjithë operacionin e kthimit në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit. E ftuar ekskluzive e gazetarit Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”, Faber është personi që ka drejtuar të gjithë këtë opearcion. Ajo tregon të gjitha detajet që nisin nga mesazhi i parë në shtator të vitit 2017 për rikthimin e këtyre eshtrave e deri më 14 nëntor 2018 që u bë e mundur. Një operacion që nisi me grumbullimin e dokumentacionit, e vendimin e gjykatës, puna vullnetare e dy avokatëve e deri te policët amerikanë me orgjinë shqiptare që mbajtën arkivolin. Në fund ambasadorja Faber mirëpret një vendim qeverie për kthimin e eshtrave të Fan Nolit, por që ajo vetëm e zbaton atë.

Zonja Faber, ju keni qenë zyrtarja e lartë shqiptare që keni drejtuar të gjithë operacionin e kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit nga SHBA në Shqipëri. A ndjeheni e lehtësuar tashmë që gjithçka përfundoi?

Tani që gjithçka përfundoi jam e qetë dhe kur kujtoj ditën e parë që mora porosinë nga qeveria. Me vërtetë ndjehem mirë që bashkë me stafin tim kemi realizuar një operacion të gjatë, të vështirë, me pengesa, por që në fund ia dolëm me sukses.

Qafoku: Si arritët ta realizonit këtë proces?

Ka qenë një operacion i madh ai i khimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri. Një vit më parë kam marrë mesazhin e parë lidhur me këtë proces . Zyra e kryeministrit mendonte që ky është një proces që ka ardhur koha që kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit të kryhej duke iu përgjigjur kërkesës së Institutit “Lumo Skëndo”. Ishte një proces realtivisht i ri dhe kishte shumë të panjohura.

Pjesa e parë e asaj që kemi bërë deri në korrik të këtij viti kur doli dhe vendimi i qeverisë, ka qenë mbledhja e një informacioni të gjerë. Kam udhëtuar në shumë shtete në SHBA. E nisa me Detroitin, duke takuar atje një nga familjet me pasardhës, nxënësin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të Mid’hat Frashërit, Hysni Alikon. Familja e tij kishte pretenduar dhe përpjekur të kthente në këto 28 vite eshtrat e Mid’hat Frashërit, por nuk e kishte bërë të mundur këtë gjë.

Në janar të këtij viti kemi patur një bisedë disa orëshe me familjarët e  tij dhe ata më treguan gjithë historinë e këtyre përpjekjeve, natyrisht në mënyrë private. Familja e Hysni Alikos është një familje 100 për qind shqiptare, shumë patriote dhe me 4 fëmijë të lindur në SHBA, por me emra shqiptarë Besnik, Shqipëri, Dashuri dhe Bukurie. Kjo familje dispononte një numër të madh dokumentesh për të bërë të mundur rikthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri, por nuk e kishin arritur. Babi i tyre Hysni Aliko kishte ndërruar jetë para disa viteve dhe u kishte lënë edhe ai amanet fëmijëve të vet që të zbatohej amaneti i Mid’hat Frashërit që eshtrat e tij të ktheheshin në atdhe.

Vajza e Hysni Alikos, Shqipërie Alikaj, e cila ishte edhe në ceremoninë në Tiranë, kur e takova për herë të parë në janar të këtij viti, më përcolli te dera dhe më tha: Me thënë të drejtën moj vajzë, kaq shumë njerëz, kaq shumë organizata janë munduar ta kthejnë Mid’hatin dhe nuk e kanë bërë të mundur për arsye diskutimi, dokumentacioni, për mbështetje financiare dhe në fund nuk ia kanë arritur. A je e bindur që çfarë je duke bërë dhe që synon ta arrish këtë? I thashë se kjo do jetë një detyrë e imja dhe kjo do zbatohet. Unë nuk jam këtu në një vizitë private, por në një punë shtetërore dhe kthimi i eshtrave do jetë një detyrë shtetërore. Të premtoj që do shikohemi në nëntor në Tiranë.

Dy avokatët shqiptaro-amerikanë nuk morën para për përfaqësimin në gjykatë

A kishte vështirësi ky proces?

Natyrisht. Vijuam punën me një numër avokatësh, kompanish që merren me procese të tilla. Duhet thënë se kishte shumë vështirësi. Gati -gati çdo ditë na dilnin fakte të reja që nisnin nga vjetërsia e varrit, kërkonte një procedurë të caktuar, nëse Mid’hati kishte familjarë apo trashëgimtarë dhe kjo kërkonte procedurë të caktuar, nëse duhet të merrej shteti apo familja.

Pra të gjithë këto i hulumtuam dhe kuptuam që nga qershori apo korriku, që jemi gati. Por duhet thënë që në vijimësi çdo gjë vendosej nga një vendim zyrtar. Pra ne do bënim kërkesë zyrtare dhe do prisnim përgjigje zyrtare.

Pra nga korriku deri në 14 nëntor u realizua pjesa zyrtare e kthimit të eshtrave. Pika e parë ishte vendimi i qeverisë. Që nga ky moment, unë me stafin nisëm udhëtimet tona drejt New Yorkut ku ndodhej varri. Në muajin gusht kam bërë kërkesën zyrtare në New York varrezave të qytetit ku ndodheshin eshtrat. Nga ky moment kuptuam që duhet të hapnim një procedurë ligjore. Bashkëpunuam me dy avokatë me orgjinë shqiptare nga New Yorku. Dua të falenderoj dhe vlerësoj këta dy avokatë me orgjinë shqiptare, por që nuk flasin fare shqip sidomos Eduard Toptani që na ndihmoi në mënyrë vullnetare në gjithë procesin. Ata nuk u paguan. Nuk pranuan fare. Toptani tha se dua ta bëj si mbëshetje për shtetin shqiptar.

Bashkë me të ka qenë edhe Adrian Neritani. Me Eduardin kemi punuar disa javë sepse duhej një informacion i caktuar për tu paraqitur në gjykatë. Paraqitëm kërkesën në gjykatë për të marrë të drejtën për të tërhequr eshtrat e një personaliteti të lartë shqiptar si Mid’hat Frashëri që kishte jetuar 69 vjet dhe pas 69 vjetësh i varrosur do zhvarrosej dhe do kthehej në Shqipëri. Vërtetë është një koinçidencë interesante. Këtu bashkëpunuam shumë me mbesën e Mid’hatit sepse kishim një ide që ishte më mirë ta kthenim vitin tjetër sepse ishte 70 vjetori. Por duke qenë se ky është viti i Skënderbeut dhe jemi në 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, ky ishte momenti i duhur. Por imagjinoni në shtator të vitit 2017 mora mesazhin e parë që mundësisht ta kthenim pas 1 viti dhe në shtator 2018 ti nis procedurat dhe e arrin, besoj kjo është arritje jo e vogël. Dhe mundësisht ta kthejmë në datën 14 nëntor. Na dukej në atë kohë e pamundur të realizohej. Kur pikërisht më 14 nëntor në orën 08.00 në mëngjes kemi arritur në aeroport, vetëm aty u lehtësova dhe mendova më në fund ia arritëm.

Nga komunikimi që kemi patur bashkë gjatë këtyre ditëve dallohej që keni qenë e stresuar.

Detyra ka qenë e rëndësishme dhe natyrisht që impenjimi ka qenë maksimal. Unë them se dita në SHBA ka 28 orë dhe unë punoj me këtë ritëm, pra 28 orë. Sepse imagjinoni, që kthimi i eshtrave të Mid’hati nuk është e vetmja punë që bëj si Ambasadore. Në çdo moment të del një angazhim, një brieffing nga diaspora që kërkon përgjigje nga aktivitetet e nëntorit. Më kërkojnë dua përgjigje dhe e dua tani. Pak kohë më mbetet.

Cilat ishin procedurat juridike?

Dua të them se vendimin e gjyqit e nxorën në kohë rekord. Ajo që ishte e rëndësishme është grumbullimi po në kohë rekord të dokumenteve që i paraqitëm në gjykatë. Në gjykatë përmendëm kërkesën e  familjarëve, vendimin e qeverisë, testamentin e Mid’hatit, përmendëm përpjekjet për kthimin e eshtrave dhe një përmbledhje të figurës së Mid’hatit dhe aktivitetit të tij. Arritëm që më 5 tetor të marrin vendimin e gjykatës dhe që nga ai moment nisëm zbatimin. Ishte ditë e premte në 18.00. Më merr avokati dhe më thotë që kishte marrë vendimin. Ishte një moment shumë emocional dhe menjëherë të nesërmen komunikuam me të gjithë shqiptarët, organizatat që të merrnin pjesë në ceremoni. Shkuam disa herë në New York.

Zonja Ambasadore, nëse nuk do ishte ky vendim i qeverisë, do ta njihnit kështu siç e njihni tani Mid’hat Frashërin?

Jo. Unë e njihja më parë, por kurrë në këto dimensione. Ju thatë në fillim të emisionin se zysha e letërsisë e kishte fajin se nuk ju ka thënë në orën e mësimit se Lumo Skëndo ishte Mid’hat Frashëri dhe të gjithë ata që janë arsimuar në atë kohë kështu u ka ndodhur. Vetëm pas vitit 1990 ne kemi mësuar rreth tij. Por unë personalisht sa kam mësuar në këtë një vit, kurrë nuk do ti kisha mësuar gjatë gjithë jetës sime. Tashmë njoh jo vetëm Mid’hatin, por të gjithë pemën e familjes, me të afërmit e Mid’hatit, sidomos Najada Petrelën, por edhe shumë shqiptarë të Amerikës, një pjesë e të cilëve shkonin për homazhe dy herë në vit te varri i tij.

Po pllakën e  varrit e latë atje?

Ai është një proces ligjor më vete. Vendi i varrit në New York është lënë siç ishte me një pllakë ku shënohet që këtu për 69 vjet kanë qëndruar eshtrat e Mid’hat Frashërit. Ishte një vendim i familjarëve dhe ata vendosën që pllaka të lihej aty.

Pra ju keni lënë diçka nga Mid’hati shqiptarëve të New Yorkut?

Po. Në mënyrë që çdokush edhe mund ta vizitojë atë vend. Nuk është ndryshuar asgjë. Në pllakë do shënohet ky sqarim. Në fakt kishte edhe ai reagime nga shqiptarët e Amerikës, sipas të cilave na e morët Mid’hatin sepse nuk do kemi më mundësi që të takohemi me të.

Si i zhvillua ceremonia në New York?

I bëmë homazhet në kishën Zoja e Shkodrës që për koicidencë ishte pranë varrezave. Më kanë pyetur shumë se pse aty. Por besoj se u bë mirë. Unë jam konsultuar me shumë klerikë dhe kjo u gjet si zgjidhja më e mirë.

Të 8 policët që mbanin arkivolin në New York ishin me origjinë shqiptare

Më bëri përshtypje që arkivolin në New York e mbanin ushtarakë amerikanë. Përse?

Ata janë policë të New Yorkut. Është një fakt interesant se të tetë ata djem janë policë amerikanë, por të tetë janë me origjinë shqiptare. Në New York janë 200 policë me origjinë shqiptare. Disa prej atyre që mbanin arkivolin nuk flisnin fare shqip, por origjina tradhëtohej kur në gjoks shkruhej mbiemri Dalipi etj. Ishte diçka shumë e bukur që policët me origjinë shqiptare mbanin arkivolin e Mid’hat Frashërit. Në fakt ishte kërkesa ime që ia drejtova bashkisë së New Yorkut që policët që do mbanin arkivolin të ishin pikërisht ata me orgjinë shqiptare.

E mirëpres një vendim për kthimin edhe të eshtrave të Fan Nolit

Faik Konica ishte një tjetër personalitet që në vitin 1995 eshtrat e tij erdhën nga SHBA në Shqipëri. Sipas jush, a duhen sjellë edhe shtrat e Fan Nolit në Shqipëri, duke qenë se ka patur një diskutim shumë kohë më parë, por që shqiptarët e Amerikës nuk kanë dashur? Unë nuk e kam këtë informacion. Unë marr dhe zbatoj vendimet e qeverisë. Unë mund të merren vetëm nëse më jepet si detyrë. Do të ishte mirë dhe e mirëpres, por detyra ime është që të merrem zyrtarisht vetëm kur ka një vendim qeverie.