Trasferoi futbollistë minorenë, Chelsea rrezikon një dënim 2 vjet në merkato

Federimi i futbollistëve minorenë në mënyrë ilegale rrezikon ta sanksionojë rëndë ekipin e Chelsea-t, ashtu siç ka ndodhur më parë, edhe pse në formë të reduktuar, me Atleticon e Madridit, Realin dhe Barcelonën.

Sipas “Mediapart”, që publikon herë pas here dokumente të vjedhura elektronikisht në skandalin e “Football Leaks”, Chelsea është nën monitorim prej kohësh për 19 operacione në merkato, 13 nga të cilët i përkasin lojtarëve minorenë. Rasti i Bertrand Traore është ai më i bujshmi.

Talenti u shit te Lioni në vitin 2017, por para se të transferohej te francezët kishte ardhur në mënyrë të dyshimtë në Londër. Sulmuesi nga Burkina Faso u transferua në Angli në moshën 15-vjeçare, e Chelsea lehtësoi edhe emigrimin e vëllait dhe mamasë së lojtarit, praktika këto jo të lejuara.

FIFA konfirmoi hetimin, që sipas dispozitave ligjore mund ta çojë në gjobë dhe në bllokimin e merkatos për 4 sesione, praktikisht dy vite.