Protestat, Kejdi Mehmetaj: Opozita është kudo pranë qytetarëve në suport të kauzave të tyre

Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, në një intervistë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus shprehet se opozita do të jetë në krah të qytetarëve që protesotojnë për të drejtën e tyre.

 Po më thonit pak më para që jeni në aktivitet gjithë kohës, me takime në të gjithë Shqipërinë. Kjo justifikon edhe mungesën në Parlament?

Jo! Unë nuk do ta konsideroja mungesë në Parlament, sepse Grupit Parlamentar i LSI, por edhe e gjithë opozita është shumë e vëmendshme ndaj punimeve të Kuvendit, po them pjesës legjislative të punimeve të Kuvendit, por ne e kemi thënë disa herë që për ne është e papranueshme që të bëhemi pjesë e një fasade, e cila mbulohet dhe orkestrohet shumë bukur nga aktorët e mazhorancës, duke filluar që nga Kryeministri, për të vazhduar më pas me Kryetarin e Kuvendit edhe me pjesën e deputetëve të mazhorancës, apo të kabinetit qeveritar.

Ne nuk mund të pranojmë që të bëhemi pjesë e një Parlamenti që strehon deputetë apo politikanë, të cilët janë deklaruar si të lidhur me krimin e organizuar apo pjesë e aferave të mëdha koruptive, këto të vërtetuara me zë dhe me figurë. E mirë se janë aty, por ne shkojmë për t’u bërë pjesë e lojës së tyre për ti dhënë legjitimitet të qenurit të tyre në Parlament. Opozita këtë nuk mund ta pranojë.

Të jem e sinqertë, ne shkonim në Parlament për t’u ofenduar, për t’u keqtrajtuar po themi në kuptimin e teknikës parlamentare nga mazhoranca dhe për të dëgjuar personazhe si kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, ish-ministra e kështu me radhë, të cilët do të duhej së paku të jepnin dorëheqjen, së shumti të ishin përpara organeve të drejtësisë dhe të gjykoheshin për dëmet që kanë bërë.

Si do të vijojë kjo marrëdhënie me Parlamentin dhe çfarë do të bëni? Nëse kjo është klima dhe ju mendoni që është e papërshtatshme për një Parlament që të funksionojë kështu, si do ta zhbëni këtë gjë?

Është fare e thjeshtë. Duke pastruar njëherë e mirë komplet elitën politike, klasën politike, Parlamentin nga këto personazhe, të cilët jo vetëm zhvillimin që nuk po sjellin.

Si do ta bëni pastrimin?

Janë propozuar disa opsione nga opozita. Një pjesë e tyre janë në tryezën e mazhorancës, siç është rasti i Vettingut në politikë apo propozime të tjera, të cilat në thelb të tyre kanë pastrimin e politikës nga lidhjet me krimin e organizuar, nga përfshirja në afera korruptive, nga shpërdorimi i pozicionit, rastet e konfliktit të interesit, etj.

Ne themi që të mos të ketë disa standarde, disa të nënës e disa të njerkës. Edi Rama kryeministri edhe një pjesë e ngushtë e rrethit të mazhorancës, se pjesa tjetër janë lënë në mëshirë të fatit, janë të nënës dhe gëzojnë privilegje të cilat janë të paperceptueshme për një shtet, i cili ka ligje dhe funksionon në bazë të institucioneve shtetërore. Nga ana tjetër janë pjesa tjetër ku përfshihen edhe opozita, por në rastin konkret edhe gjyqtarët për të bërë një paralelizëm, edhe policët e kështu me radhë, që këta qenkan të njerkës, këta duhen futur në filtër, këta duhen të kontrollohen e kështu me radhë.

Pra të pastrohet është shuam e thjeshtë. Po të pyesni sot qytetarët, këtij institucionit që është Parlamenti, duan sa më parë ta shkatërrojnë nga duart e themelet. Pra për aq kohë sa publiku ka këtë perceptim mbi institucionin ku ne duhet të ushtrojmë detyrat tona, si të zgjedhurit e qytetarëve, diçka duhet të ndodhë brenda atij institucioni dhe diçka duhet të ndryshojë.

Kejdi në mbyllje të sesionit të fundit parlamentar gjatë verës, opozita doli dhe tha që do të kemi një vjeshtë të ashpër dhe do të dalim në protesta masive. Në fakt deri tani jemi zyrtarisht ende në vjeshtë, por të vetmit që protestojnë janë banorët e Unazës së Re. Pritet që të kemi protesta? Jeni duke u bërë gati për protesta?

Në fakt të them të drejtën nuk janë vetëm banorët e Unazës së Re, të cilët po protestojnë, paçka se arsyeja e tyre për të protestuar është shumë e ndjeshme edhe shumë e prekshme edhe nga qytetarë të tjerë, por janë një sërë grupimesh, të cilët për kauza t ndryshme janë duke protestuar aktualisht në Shqipëri. Kemi rastin e Teatrit Kombëtar që vazhdon në mënyrë të përditshme, çdo mbrëmje në orën 7 përpara godinës së Teatrit Kombëtar vazhdojnë protestën, vazhdon revolta popullore, është biznesi në protesta të vazhdueshme tani edhe me propozimet e reja fiskale, edhe me propozimet e reja buxhetore. Është ringritur vrulli i brendshëm i biznesit për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtën e vet, e kështu me radhë. Janë disa kategori ose disa grupime të shoqërisë, të cilat janë në protestë dhe opozita është kudo pranë tyre, në suport të kauzave të tyre, sepse në fund të ditës kjo është detyra e politikës, kjo është detyra e partive politike. Të jenë në funksion të qytetarëve në prapavijë të qytetarëve, por edhe për të propozuar më vonë zgjidhje më të mira për problemet e tyre.

Do të kemi protesta më masive?

Po! Ndërkohë e gjithë opozita është e organizuar në diskutime me qytetarët. Ju e keni ndjekur padyshim dhe e transmetoni në lajmet tuaja, LSI ka qenë pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Dje ka qenë në Durrës, sot do të jetë në Dibër, e kështu me radhë, për të diskutuar me qytetarët planin që na pret në vazhdim dhe mendimin e tyre mbi mënyrën se si duhet t organizohemi.

Por ky kryeministër nuk mund të largohet veçse me protesta, nuk e meriton të largohet ndryshe. Ndaj të jeni të sigurtë që do të vijnë shumë shpejt.

Ju do të dilni në protesta, por ndërkohë kemi një datë të dekretuar nga Presidenti i Republikës për zgjedhjet lokale. Ju jeni në takime intensive në qytetet e Shqipërisë, jeni duke bërë një analizë, jeni duke u bërë gati për zgjedhje, jeni duke u bërë gati për protesta, për çfarë po bëhet gati opozita?

Kjo nuk është kohë për analiza të brendshme të partive politike. Problemet e qytetarëve janë aq të shumta, aq serioze, aq impenjative sa që nuk mund të na lënë ne kohë që të merremi me problemet e brendshme të partive politike. Ne jemi me qytetarët së pari për të diskutuar problemet e tyre, për të marrë zërin e tyre. Së dyti për të diskutuar disa prej zgjidhjeve të cilat ne i kemi diskutuar dhe propozuar qysh prej fillimit të shtatorit dhe deri tani, të cilat padyshim që edhe mediat janë njohur. Dhe për të diskutuar rrugën vazhdimin, pra si do të jetë ballafaqimi ynë, jo si opozitë, por si qytetarë me këtë kryeministër dhe me këtë qeveri që shkon nga skandali në skandal, nga korrupsioni në konflikt interesi, në krim të organizuar dhe që Shqipëria zgjohet në mëngjes me lajme vrasjesh, pra një vrasje në Vlorë, një vrasje në Shkodër, një vrasje në Tiranë, një vrasje këtu, sikur të jetë normalitet kjo çështje, dhe e mbyll ditën e saj me një politikan apo përfaqësues të mazhorancës i cili është pjesë e vrasjeve, si pjesë e grupimeve që pastrojnë njëri-tjetrin se kështu kanë filluar ta thonë edhe gazetarët investigativ dhe oficerët e policisë. Dhe dita mbushet me prishje të banesave, me heqje të ndihmës ekonomike, me ulje të rrogave dhe pensioneve, me papunësi ekstreme.

Kemi rritje pagash dhe pensionesh për 2019 dhe ulje të nivelit të papunësisë…

Në fakt është demagogji bërë ashtu siç kryeministri mund ta bëjë më së miri duke përdorur ironinë dhe talljen për të fshehur të vërtetën. Ajo nuk është rritje është tallje. Pse është ulje? Sepse rritja që propozohet është më e vogël sesa indeksi i rritjes së çmimeve. Që do të thotë më shumë ka rritje çmimesh se rritje pensionesh dhe kjo përkthehet në më pak të ardhura për pensionistët apo për ato që rrogën e tyre e marrin nga institucionet shtetërore.

Po bëheni gati për zgjedhjet lokale? Do të shkoni në zgjedhjet lokale? Artikulohet shumë ideja që opozita kërkon zgjedhje lokale dhe zgjedhje të përgjithshme në të njëjtën kohë…

Ne nuk e kërkojmë, ne jemi të bindur që ky do të jetë skenari më i mirë për kryeministrin. Sepse ka ardhur momenti që Shqipëria të qeveriset dhe të drejtohet nga njerëz më dinjitozë dhe më të përgjegjshëm, që njohin Kushtetutën, që njohin ligjet dhe që së paku duan të bëjnë një gram mirë për këtë vend. Ka ikur koha tanimë e të gjithë pushtetshmëve që marrin një karrige që kujtojnë se është e familjes dhe se më të mund të bëjnë çdo gjë.

Ne në asnjë rast nuk kemi thënë që nuk do të marrim pjesë në zgjedhje, përkundrazi padyshim që do të marrim pjesë në zgjedhje. Por përpara se të shkojmë në zgjedhje do të flasim për procese zgjedhore të cilat janë të ndershme. Sepse asnjëherë nuk do të kishim këtë qeveri dhe këtë kryeministër në rast se procesi zgjedhor i 2017 do të ishte një proces mbi baza demokratike, mbi ndershmërinë, duke mënjanuar të fortët nëpër lista, duke mënjanuar të pushtetshmit edhe si kandidatë dhe si suportues të partive politike. Kështu që përpara se të shkojmë në atë pikë ka shumë gjëra që duhet t’i zgjidhim.

Ju jeni një politikane e re, kam përshtypjen se duhet të jeni e para politikane e re në moshë në Parlamentin e Shqipërisë, më pas pasuar edhe nga deputetë të tjerë të rinj si Floida Kërpaçi e të tjerë. Një e re në politikë që synon të përcjellë zërin e të rinjve në Parlamentin e Shqipërisë, por edhe të hartoni politika në mbështetje të të rinjve. Tashmë është një fenomen që e dimë që të rinjtë synojnë të largohen, por ky nuk është një fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri, është një fenomen global ku truri lëviz. Si një e re që përcjell zërin ë të rinjve në Parlamentin e Shqipërisë, pse duhet të rrinë të rinjtë në Shqipëri?

Unë jam nga ata të rinj shqiptarë që jam rritur duke menduar se mundësitë e mia do të ishin shumë më të shumta jashtë Shqipërisë sesa brenda saj. Mundësitë për arsim, mundësitë për punë të mirë paguar e kështu me radhë. Por në një moment kritik, në atë momentin kur mbaron gjimnazin dhe vendos se çfarë do të ndodhë me të ardhmen tënde, kisha përballë dy zgjidhje: të shkoja të shkollohesha jashtë në SHBA apo të rrija në Shqipëri, në realitetin që përmirësohet e përkeqësohet por lëviz pak në vite. Dhe unë vendosa që të rri me bindjen që e para guri i rëndë është në vendin e tij. Pra nëse kërkon të punosh dhe të investohesh tek vetja për të lënë një gjurmë pas nuk mund ta bësh këtë gjë asgjëkund aq mirë sa në vendin tënd. E dyta Shqipëria është një vend i vogël, por me mundësi të mëdha, të pashfrytëzuara ende dhe që nëse me pak zgjuarsi, por edhe me politika të mira investon aty ku duhet mund të bësh gjëra të mëdha qoftë në aspektin privat e kështu me radhë.

Ndonjëherë jam edhe unë në dilemën nëse kam bërë mirë apo jo. E kam shumë shpesh këtë dilemë edhe për shkak të pozicionit që unë mbaj. Padyshim që unë hyj tek ata të rinj të cilët janë optimistë, që duhet luftuar dhe që ka një të ardhme të mirë. Ajo që mua më shqetëson është fakti se kur pyeten të rinjtë pse ikin, është normale kur thonë për arsim, për punësim, për kushte dhe kjo ndodh në të gjithë botën, por ajo që të vjen më shumë keq është kur dëgjon shprehjen sepse këtu nuk ka të ardhme. Pra kjo përcjell mesazhin se shpresa në këtë vend pothuajse ka humbur.

Dhe kjo është fatkeqësia jonë më e madhe. Sepse ka padyshim njerëz që ikin për t’u zhvilluar dhe e kanë në mendjen e tyre që mund të kthehen dhe të investojnë, por ama të ikin me idenë se ky vend nuk bëhet dhe ta jetosh ditën me këtë ide kjo është humbja më e madhe. Kjo tregon se sistemi është prishur. Pra i gjithë sistemi mbi të cilin ndërtohet një vend është prishur, për aq kohë sa ka humbur besimi se e ardhmja mund të sjellë diçka të mirë. Dhe unë prandaj rri dhe prandaj ftoj të rinjtë që të rrinë këtu që ne të rregullojmë sistemin. Nuk mund të presim që sistemi të rregullohet pavarësisht përkatësive tona politike, nga këto personazhe që mund të kenë vite pafundësi që janë pjesë e një loje, e një vorbulle dikush më shumë e dikush më pak, ndryshimi mbetet i vogël, por dëmet janë shumë të mëdha si në rastet e qeverisë aktuale që ne kemi.

Duhet të jemi ne të rinjtë, ne që kemi një vizion ndryshe që të punojmë dhe të përpiqemi. Kështu që unë dua të përfitoj nga ky mëngjes dhe atyre 79% e të rinjve që me gojën plot thonë që ne duam të ikim sepse ky vend nuk bëhet, të luftojnë që ky vend të bëhet ashtu siç ata e ëndërrojnë. Të shkojmë aty në Unazë të Re, të shkojmë aty tek Teatri Kombëtar, t’i bashkohemi biznesit, t’i bashkohemi qytetarëve dhe të rinjve që duan të reagojnë, pa përkatësi politike. Sot është momenti që të reagojmë jo të largohemi dhe kjo është ftesa që unë kam.