Protesta për unazën e re, Gjiknuri: 3 vite qira për ata që i kanë banesat pa leje

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri ka reaguar sërish pas protestës mbrëmjen e djeshme të banorëve të unazës së re, banesat e të cilëve preken nga projekti. Ministri rithekson se pronarët do të shpronësohen 100%, ndërsa ata pa leje do marrin 3 vite qira dhe do trajtohen me përparësi për banesa sociale.

Segmenti i përfunduar urban i Unazës së Madhe nga Komuna e Parisit tek Shkolla Teknologjike është modeli ynë për Tiranën e së ardhmes. Për çdo skeptik, ky është standardi me të cilin do ndërtohet dhe segmenti nga Shkolla Teknologjike tek Sheshi Shqiponja. Pronarët shpronësohen 100%. Ata pa leje do marrin 3 vite qira dhe do trajtohen me përparësi për banesa sociale“, shkruan ministri në një status në Facebook.

Banorët e unazës së re sot kanë paralajmëruar protestën në ditën e 13 para bashkisë së Tiranës, teksa do të zhvillohet edhe mbledhja e këshillit. Opozita ka deklaruar se do të bojkotojë mbledhjen, ndërsa pritet që të mbështesë banorët në protestë.