Meta: Media e lirë dhe e pavarur, një qëllim që duhet të përpiqemi të gjithë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën më të madhe të medias për gazetarët në Europën Jug-Lindore “South East Europe Media Forum”, që po zhvillohet në Tiranë në datat 15-16 nëntor 2018

“South East Europe Media Forum” është konferenca më e madhe e medias në Europën Jugore, Qendrore dhe Lindore, që mblodhi dhe bëri bashkë në Tiranë kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë, ekspertë të medias dhe politikanë. Një nga synimet kryesore të veprimtarisë së “South East Europe Media Organisation” (SEEMO) është mbrojtja e lirisë së shtypit duke ndihmuar gazetarët dhe mediat në Evropën Juglindore.

Presidenti i Republikës përshëndeti Forumin dhe të pranishmit e shumtë mes të cilëve ishin Sekretari i Përgjithshëm i SEEMO-s Oliver Vujović, Drejtori i Programit të Medias për Europën Juglindore i Fondacionit “Konrad Adenauer” Hendrik Sittig, Drejtori i Zyrës së Shqipërisë të Fondacionit “Konrad Adenauer” Walter Glos, Koordinatori i CEI për Shqipërinë dhe Drejtori i Rajonit dhe Vendeve Fqinje në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ilir Melo, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, kryeredaktorë, gazetarë, analistë vendas e të huaj, ambasadorë dhe diplomatë, etj.

Në fjalën e tij Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka media në ruajtjen e vlerave të demokracisë dhe lirisë në vend. Por duke folur për problematikën e medias, Presidenti bëri thirrje dhe për një vëmendje më të madhe nga media për etikën e raportimeve.

Video/Fjala e Presidentit në Konferencën ndërkombëtare të gazetarëve të Europës Jug-Lindore

 

Fjala e Presidentit në “South East Europe Media Forum”: Media e lirë, e pavarur, e në shërbim të interesit më të lartë publik, është një qëllim për të cilin duhet të përpiqemi dhe të bashkëpunojmë të gjithë.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta:

“Është kënaqësi e veçantë të ndodhem sot me gazetarë dhe përfaqësues të nderuar të medias nga rajoni dhe nga vendi ynw në Forumin e Medias së Evropës Juglindore.

Përzgjedhja e Tiranës, për të dytën herë, si vendtakim i këtij forumi, është një lajm i mirë, por edhe një rast i mirë për një bashkëbisedim të hapur e të drejtpërdrejtë.

Do të ndalem në disa zhvillime, që mendoj se kërkojnë vëmendje më të spikatur dhe një aksion të përbashkët në shërbim të lirisë dhe demokracisë në secilin prej vendeve tona.

Së pari, shkalla e lirisë së medias është tregues i drejtpërdrejtë i nivelit të demokracisë së një vendi, por edhe funksionimit tw institucioneve demokratike.

Raportet e fundit të “Reporterëve pa kufij” dhe të “Freedom House” dëshmojnë se liria e medias ka shënuar përkeqësim në disa vende të Bashkimit Europian, por veçanërisht në rajonin tonë, ku fatkeqësisht kanë humbur deri edhe jetën gazetarë të guximshëm e të pakompromis.

Është gjithmonë rasti t’u përulesh me nder dhe t’u bësh homazh këtyre kampionëve, të fjalës së lirë dhe integritetit njerëzor, si Viktoria Marinova, Ján Kuciak, Daphne Caruana Galizia, etj.

 

Kjo panoramë tronditëse na fton të reflektojmë mbi faktin se liria e medias nuk fitohet njëherë e përgjithmonë. Ajo duhet mbrojtur, përsosur dhe konsoliduar dhe për të mos rrëshqitur pas traditave famëkeqe të regjimeve autoritare.

Gjuha e presionit, denigrimit, frikësimit deri dhe urrejtjes ndaj gazetarisë si profesion, gazetarit si individ apo vetw komunitetit të medias në tërësi, përbën kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë dhe rendin demokratik.

Situata bëhet veçanërisht shqetësuese kur janë drejtuesit politikë, në nivel qëndror apo lokal, ata që artikulojnë dhe shigjetojnë këto sulme, verbale apo fizike, ndaj gazetarëve, duke i ekspozuar ata njëkohësisht edhe karshi kriminelëve, trafikantwve apo edhe elementeve terroristë.

Rritja e forcës dhe efikasitetit goditës të agjencive ligjzbatuese ndaj krimit duhet bashkëshoqëruar edhe me respektimin maksimal të institucionit të medias, dhe interesit të lartë publik që ai përfaqëson.

Së dyti, është tejet i rëndësishëm zbatimi i kuadrit ligjor që garanton të drejtat, sigurinë dhe kushtet e punës së komunitetit të gazetarëve. Kur mjedisi kërcënues i jashtëm shoqërohet me kushtet e pasigurta në vendin e punës, cënohet automatikisht edhe cilësia e gazetarisë, duke çuar në çensurë apo vetëçensurë, në rastin më të mirë, apo në braktisjen e profesionit, madje edhe të vendit, në rastin më të keq.

 

Së treti, shkalla e lirisë së medias si pjesë thelbësore e kriterit politik të Kopenhagës matet kundrejt standardeve europiane, të cilat sot për sot janë niveli më i lartë i grupit të të drejtave që gëzon njerëzimi.

 

Nisur nga përvoja e vendit tonë, paketa e ligjeve ekzistuese në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit, përputhen plotësisht me këto standarde, por ajo që duhet është një zbatim më efikas.

 

Në këtë kontekst, vlerësoj se dhe vetë gazetarët duhet të kenë një qëndrim më të unifikuar, të jenë më transparentë ndaj çështjeve të pronësisë së medias dhe ndarjeve politike, por më e rëndësishmja, gazetarët nuk duhet të presin që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet klienteliste.

 

Së katërti, përballja me fenomenin botëror të ‘Fake News’ nxjerr në pah nivelin dhe integritetin profesional të gazetarisë së mirëfilltë.

 

Është e domosdoshme që gazetarët profesionistë, e veçanërisht ata elitarë, të refuzojnë çdo përpjekje që synon të shkatërrojë gazetarinë serioze, për ta zëvendësuar atë me ‘Fake News’, gjendur rëndom në rrjet.

 

Media shkon përtej një biznesi të thjeshtë, sepse mbart në të njëjtën kohë, jo vetëm barrën e informimit në shërbim të interesit publik, por edhe përgjegjësinë si një nga shtyllat e demokracisë.

 

Për këto arsye, media e lirë, e pavarur, e në shërbim të interesit më të lartë publik, është një qëllim për të cilin duhet të përpiqemi dhe të bashkëpunojmë të gjithë.

 

Së pesti, rajoni i Europës Juglindore, dhe posaçërisht Ballkani Perëndimor, i është nënshtruar proceseve transformuese përmes dy parimeve themelore: bashkëpunimit dhe ripajtimit.

 

Pjesë e kësaj përpjekje madhore është edhe media, me rolin e saj të pazëvendësueshëm për modelimin dhe ushqyerjen e opinonit publik me këto vlera.

 

Përgjegjësia e medias si promotore e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal, që shmang gjuhën inflamatore dhe të urrejtjes, që informon, por edhe edukon individët, është shumë e madhe dhe tejet e rëndësishme.

 

Mbulimi mediatik i ngjarjeve në rajon mund të ndihmojë apo minojë proceset e bashkëpunimit. Dhe kjo ndodh veçanërisht në kushtet kur teknologjia ka evoluar kaq shumë duke e bërë komunikimin gjithnjë edhe më personal.

 

Ndaj unë ju inkurajoj, që duke qëndruar në rolin tuaj si gardianë të interesit publik, të vijoni të mbështesni me përgjegjësi proceset e domosdoshme të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës rajonale, sipas modelit europian, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

 

Kjo qasje padyshim do të ndihmojë edhe në përshpejtimin e proceseve integruese europiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë, të cilat mbeten të një rëndësie po aq strategjike edhe sot, sa në ditën e parë kur ato nisën.

 

Si President i vendit dua të theksoj se ne mbetemi konstantë në orientimin e politikës sonë të jashtme kah ndërtimit të urave të vërteta, më të forta, më të shpejta dhe më efikase të bashkëpunimit mes gjithë popujve të rajonit tonë, në funksion të integrimit të plotë europian dhe euro-atlantik.

 

Fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi i ngushtë, me fokus integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Europian, është e vetmja e ardhme që duhet t’ua lëmë trashëgim brezave më të rinj.

 

Në fund, duke ju uruar punime të mbara, shpresoj t’i shfrytëzoni këto ditë qëndrimi në Tiranë edhe për të shijuar traditën tonë të mrekullueshme të mikpritjes, dhe për të vizituar disa nga bukuritë natyrore të Shqipërisë, ‘diamantit të Europës’, siç e cilësuan së fundmi edhe video-blogerët me famë botërore,  Nuseir Yassin dhe Alyne.”