Kroacia shokon Spanjën në frymën e fundit, Jedvaj hero me dopietë (VIDEO)

Kroacia i ka rrëmbyer një fitore spektakolar 3-2 në sekondat e fundit, duke marrë hak për humbjen e thellë 0-6 në duelin e parë. Në “Maksimir” pjesa e parë dhuroi pak emocione, me kroatët që ishin më të qartë në lojën e tyre duke qenë në disa raste të rrezikshëm në portën e mbrojtur nga De Gea. Fillimi i fraksionit të dytë ishte i ndezur, teksa Kramaric shfrytëzoi përgjumjen e spanjollëve për të kaluar në avantazh ekipin e tij në minutën e 54-të.

Gëzimi i ekipit të Dalic zgjati shumë pak, pasi pas dy minutash, Ceballos konkretizoi një aksion të bukur të iberikëve. Kroacia u hodh në sulm dhe shënoi edhe golin e avantazhit në minutën e 69-të me Jedvaj. Spanja shtoi aksionet sulmuese, teksa do të gjente golin e barazimit 12 minuta nga fundi nga pika e bardhe me Sergio Ramos. Ndërkohë në sekondat e fundit shtesë, Kroacia shënoi golin e fitores sërish me mbrojtësin Jedvaj. Në Grupin 4, Spanja mbetet në vendin e parë me 6 pikë, ndërkohë që Anglia dhe Kroacia janë barazim me 4 pikë.

Në ndeshjet e tjera Belgjika fitoi 2-0 ndaj Islandës me dy gola të shënuar nga Batshuayi. Në Ligën B, Austria barazoi pa gola ndaj Bosnjë Hercegovinës.