Shkëlzen Berisha kërkon dënimin e Taulant Ballës, deputeti nuk paraqitet në gjyq

U zhvillua sot seanca e radhës për padinë e Shkëlzen Berishës ndaj Taulant Ballës.

Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa djali i ish-kryeministrit Berisha kërkoi dënimin e Ballës për deklarimet e bëra në komisionin hetimor për privatizimin e CEZ.

“Proceset për shpifje me zotin Balla janë të shumta sepse profesioni kryesor i zotit Balla është shpifës. Nuk ishte i pranishëm. Shpresoj të mos ketë qenë duke nxjerrë ndonjë përdhunues nga komisariatet, shpresoj të mos ketë qenë në udhëtim me ndonjë trafikant që e ka mik shtëpie, shpresoj që gjykata të vërtetojë dhe njëherë shpifjen e radhës, kësaj here penalisht për zotin Balla”– u shpreh Shkëlzen Berisha.

Sipas Shkëlzen Berishës, “Balla e publikoi këtë dokument që përmbante të dhëna personale, në kohën kur ishte kryetar i komisionit parlamentar për këtë çeshtje”.

Bëhet fjalë për një dokument që kreu i grupit PS-së e publikoi në adresë të tij të facebook dhe i referohet një pagese prej 200 mijë euro të marra nga shtetasi Ismail Mulleti nga djali i ish kryeministrit.

Berisha pretendon se Balla e publikoi këtë dokument me të dhëna personale në kohën kur ishte kreu i komisionit hetimor parlamentar për çështjen CEZ.

Gjykata caktoi më datë 27 nëntor për seancën e radhës.