Pushimet e luksit, ja sa shpenzon Ronaldo për dy shishe verë

Refuzimi i ftesës së kombëtares portugeze po i kushton shtrenjt Cristiano Ronaldos. Natyrisht në formë shakaje, pasi ylli i Juventusit po shijon pushime luksi, e në të tilla raste shpenzimet marramëndese nuk vihen shumë re.

Sipas asaj që shkruan “The Sun” kampioni portugez, ka qëndruar në një suitë, ku një natë kushton plot 9 mijë euro. Gjithashtu, portugezi pagoi plot 31 mijë euro për dy shishe verë. Të gjitha këto për të festuar ditëlindjen e parë të vajzës së tij, Alana Martina.

Dy shishe të veçanta: 20 mijë euro për “Grand Cru Richebourg” , një prej verërave më të shtrenjta në botë, dhe 11 mijë euro për një “Pomerol Petrus” të vitit 1982.

Ronaldo gjithashtu mori pjesë në ndeshjen e Masterit të tenisit, i cili po zhvillohet gjatë këtyre ditëve në Londër.

Pas katër ditëve pushim të dhënë nga Allegri, lojtarët e Juventusit të cilët nuk janë të grumbulluar me kombëtaret do të kthehen në Continassa të enjten.