Projektligji për Mbrojtjen Civile, Xhaçka mirëpret konsultimet

Ministria e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka gati projektligjin për mbrojtjen civile. Përmes një postimi në facebook, Xhaçka thotë se riorganizimi i Emergjencave Civile nuk mund të mjaftohet vetëm me kalimin e tyre nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, ministrja pohon se projektligji synon ngritjen në një nivel më të lartë të efektivitetit të sistemit të mbrojtjes civile, i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve, të subjekteve private, organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile, dhe të shtetasve në tërësi.

Ministrja shton se përvoja e viteve të fundit na ka mësuar që emergjencat kanë nevojë për përmirësime edhe sa i përket kuadrit ligjor.

“Projektligji përcakton më qartë se kurrë përgjegjësitë e pushtetit qendror e lokal, përcakton parashikimet në buxhet për emergjencat dhe është në përputhje me direktivat e BE-së. Rrit rolin e prefektit dhe krijon Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të ketë kapacitete shumë më të mëdha administrative, përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera. E fundit, por kurrsesi më pak e rëndësishmja; nxit vullnetarizmin”,-shkruan Xhaçka.

Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka, thekson se është e hapur për çdo sugjerim nga profesionistë dhe ekspertë për projektligjin, përpara se ta dërgojë në qeveri dhe më pas në Kuvend.