”Lart e më lart”, pensionistët batuta me Ramën: Ku të shkoj?

Kryeministri Edi Rama është takuar sot me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje në platformën Shqipëriaqëdua.al. Shefi i qeverisë apeloi sot që qytetarët të vazhdojnë që ta përdorin atë si një mundësi reale për dëgjimin e zërit të tyre. Nga eventi i bashkëqeverisjes nuk kanë munguar as batutat e kryeministrit me qytetarët.

Një nga pensionistët e pranishëm në këtë takim, tha se kishte problem me pensionin e tij. Mes batutave ai tha se ka gjetur zgjidhjen nga platforma, pasi i bëri telefonatë një grua. Ai i uroi kryeministrit urime dhe të shkonte sa më lart, por s’mungoi përgjigjia me humor edhe nga Rama.

Pensionisti: Kam dalë në pension me ligjin famëkeq të 2014-ës, e kërkoja në Berat, s’ma rregulluan as ajo qeveri dhe as kjo, bëra ankesën tek bashkëqeverisja. Më tha: Të marrin nga Tirana, një grua…Euuu thashë unë, ç’është kjo grua, pse gratë të marrin nga Tirana? U nisa dhe erdha dhe gjeta zgjidhje. Ty të faleminderit shumë e lart e më lart.

Edi Rama: Më lart se 198 centimetra s’kam ku të shkoj.

(Të qeshura nga të pranishmit)

Më tej, një tjetër pensionist, sërish kishte patur probleme me pensionin. Ai tha se ishte ankuar tek institucioni përkatës se pse merrte pension të pjesshëm dhe si përfundim, i është hequr pensioni pas ankesës. Ai ka thënë se gjeti zgjidhje pas denoncimit në platformë.

Pensionisti: Më vjen keq, s’kam komplekse fare, me këta që dalin e duartrokasin. Jam ndierë i fyer si qytetar, e kam mbyllur pensionin tek burgu i sigurisë së lartë. Thashë po bëj një letër ndaj shtetit. Kryeministër, është kënaqësi të të shohim kështu në këmbë se mund të të thoja ulu. Unë jam ankuar për pensionin, pse nuk e merrja të plotë, ata ma hoqën fare. Falenderoj stafin që më priti dhe më foli.

Edi Rama: Jam këtu në këmbë, po pres.