Eshtrat e Mid’hat Frashërit, Basha: Të jetë shembull për patriotë të tjerë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në homazhet e zhvilluara në ambientet e Akademisë së Shkencave, pas mbërritjes së eshtrave të patriotit Mid’hat Frashëri nga New York-u në atdhe. Në një prononcim për gazetarët, Basha tha se përmbushja e amanetit të fundit të Frashërit duhet të kthehet në një shembull edhe për patriotë të tjerë të shquar.

“Një nga ditët e rralla që qëndrojmë para një arkmorti me një sens krenarie dhe kënaqësie sepse u përmbush amaneti i Mid’hat Frashërit, detyrim i madh kombëtar i gjithë patriotëve shqiptarë. Kënaqësi që eshtrat e këtij patrioti të rrallë dhe shkencëtari të një dimensioni evropian që ka bërë kaq shumë për vendin do prehen sipas mënyrës së tij. Dua të falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur në veçanti deputetin e PD, Agron Shehaj. Kjo ishte gjetja e duhur për ta patur këtu, për këtë burrë të jashtëzakonshëm dhe për të vendosur një shembull që duhet të ndiqet edhe nga shumë të tjerë. Eshtrat e çdo patrioti që padrejtësia e diktaturës gjakatare të Enver Hoxhës i ka lënë të dergjen jashtë kufijve duhet të kthehen e nderohen në Shqipëri. Vlerësoj iniciativën e historianit Uran Butka, përkushtimin e deputetit Agron Shehu, qeveria si administratore e taksapaguesve nuk ka asgjë më pak se detyrimin të kryej të gjitha detyrimet për nderimin e këtij patrioti të madh”, u shpreh Basha.