Dënimi i Shullazit, reagon ambasada e SHBA-së: Kush e ka radhën?

Ambasada amerikane në Tiranë përshëndet vendimin e djeshëm të Gjykatës e cila vendosi dënimin me 14 vjet heqje lirie të Emiljano Shullazit si dhe dënimin e pjesëtarëve të tjerë të asaj që njihet si “Grupi Shullazi”.

E ndërsa përshëndet këtë vendim, të cilin e konsideron si një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri, Ambasada sjell shqetësimin e qytetarëve shqiptarë të cilët sipas saj pyesin: “Kush e ka radhën”?

Reagimi i plotë i Ambasadës së SHBA në Tiranë

Dita e djeshme shënoi një hap domethënës përpara për qytetarët shqiptarë që kërkojnë dhe meritojnë drejtësi të vërtetë nga sistemi i tyre gjyqësor. Ne u inkurajuam nga puna e prokurorëve shqiptarë, të cilët, duke u bazuar në prova, bindën gjykatësit e Krimeve të Rënda se një bos i krimit dhe kriminelë të tjerë e kanë vendin në burg. Përshëndesim shqyrtimin e kujdesshëm të këtij rasti. Vendimi i marrë është një fitore për sundimin e ligjit në Shqipëri. Qytetarët shqiptarë tani pyesin “Kush e ka radhën”?