Arresti për ish-kryeministrin maqedonas sinjal edhe për Shqipërinë

Ish-kryeministri autoritar dhe arrogant maqedonas, Nikoll Gruesvki tashmë jo vetëm që kërkohet të arrestohet nga gjykata penale me dy vjet burg, por i dikurshmi kryeministër gjithë tangërllek nuk po gjendet për t’u arrestuar. Mediat flasin se mund të jetë arratisur natën e së premtes. Rrjetet sociale tregojnë se ka ikur i futur në një kamion, kërrusur dhe veshur si lypsaxhi, të tjerë se ai ka mbërritur në Moskë apo në Hungari.

Pushteti i plotfuqishëm i Gruevskit filloi të rënohet pasi opozita bojkotoi parlamentin dhe filloi të botojë një sërë përgjimesh që u quajtën “bombat e Zaevit”, kryeministrit aktual. Dalë ngadalë SHBA dhe BE filluan ta lëshojnë liderin e fortë të Shkupit dhe kërkuan një qeveri të përbashkët dhe zgjedhje të reja. Bashkë me to ata mbështetën edhe ngritjen e gjykatës dhe prokurorisë speciale që do të hetonte krimet e politikanëve të lartë.

Tamam si në Shqipëri duket skenari!

Sot, pas këtij kalvari që zgjat prej tre vitesh, Gruevski humbi postin e kryeministrit dhe pranoi një parti koalicioni. Megjithëse në zgjedhjet e parakohshme ai arriti të dalë partia e parë, një presion i fortë ndërkombëtar bashkoi opozitën me faktorin shqiptar dhe e nxori në minorancë. Krahas këtij procesi politik filloi edhe ai juridik që përkoi me hapjes paralele të disa çështjeve që e shihnin ish kryeministrin si të akuzuar. Si pasojë e tyre ai humbi thellë dhe zgjedhjet lokale çka solli edhe fundin e mbretërimit të tij për një dekadë e gjysëm në krye të WMRO.

A do të ndodhë edhe në Shqipëri skenari maqedonas? Akoma nuk duket situata të shkojë drejt të njëjtit skenar, ku drejtuesit politikë të rëndësishëm të ndëshkohen, siç po ndodh në Maqedoni. Por traseja e kësaj udhe po shtrohet. SHBA dhe BE nuk dorëzohen në ndëshkime shembullore, edhe në Shqipëri, si në Maqedoni apo dikur në Kroaci.