Tirana gati për “Fshatin e Festave”

Ashtu si shumë kryeqytete të Europës, edhe Tirana po bëhet gati që tani për të mikpritur festat e fundvitit. Në sheshin “Skënderbej” ka nisur vendosja e shtëpizave të “Fshatit të Festave”, një hapësirë festive ku qytetarët mund të kalojnë kohën dhe të argëtohen. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përgatitjet e fundit, ku theksoi se fëmijët meritojnë ta kenë qendrën e qytetit të zbukuruar.

“Është e pabesueshme se sa vapë po bën këtë nëntor dhe ndihet më shumë si verë se sa si stinë festash të fundvitit. Megjithatë, ashtu siç po ndodh në të gjithë botën, qytetet po përgatiten për t’i filluar pak më herët festat. Berlini, Londra, Nju Jork-u kanë filluar të zbukurohen që në fund të tetorit. Me kërkesën e shumë fëmijëve në Tiranë, të cilët na kanë kërkuar që festat të zgjasin një çikë më shumë, në pamundësi që t’i zgjasim në janar, po i fillojmë pak më herët sepse besoj që fëmijët meritojnë ta kenë qendrën e qytetit të zbukuruar gjatë gjithë sezonit të festave tona kombëtare, por edhe ato të Vitit të Ri”, tha Veliaj.

Duke filluar nga kjo fundjavë, kur do të bëhet ndezja e pemës së Vitit të Ri, muaji nëntor dhe dhjetor do të jenë tejmbushur plot me aktivitete, për t’i dhënë kryeqytetit energji pozitive. “Nëntor-dhjetori do të jetë i mbushur me aktivitete, me jetë, me gjallëri dhe me energji pozitive në qendër të Tiranës. Kemi filluar vendosjen e “Fshatit të festave” në Tiranë, do të kemi shumë artizanë, gatime tradicionale, por përfitojmë edhe nga fluksi i madh i turistëve që kanë ardhur në Tiranë. Këtë fundjavë do të ndezim pemën e Vitit të ri. Kemi përdorur një sistem zbukurimesh në qytet, si kurrë më parë, dhe besoj për të gjithë do të jetë një atmosferë fantastike në kryeqytet”, tha ai.

“Fshati i Festave” në sheshin “Skënderbej” rezervon mjaft surpriza për qytetarët. Veliaj ftoi edhe shqiptarët nga trevat shqipfolëse dhe diaspora që pushimet e fundvitit t’i rezervojnë në Tiranë, ku do të gjejnë një atmosferë fantastike.

“Do të rezervojmë një pjesë të sheshit për aktivitete kulturore; do të jetë banda e qytetit, ansamblet e këngëve dhe valleve, muzikë popullore, klasike dhe moderne. Pothuajse çdo ditë dhe çdo natë do të kemi një festë në shesh. Ju presim të gjithëve në sheshin “Skënderbej”, sheshin e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm qytetarët e Tiranës, dhe gjithë Shqipërisë, por gjithë ata që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, Mali i Zi, nga diaspora, për të kaluar pushime jo vetëm më të gjata, por edhe më të bukurat ndonjëherë në qytetin e Tiranës”, tha ai.

Kreu i Bashkisë kërkoi prej qytetarëve në prag të festave të fundvitit që të konsumojnë produkte vendase, të cilat garantojnë jo vetëm cilësi të lartë, por njëkohësisht edhe gjenerojnë ekonominë vendase. “Dua të inkurajoj gjithë qytetarët të konsumojnë prodhime lokale. Është stina ku ka më shumë konsum edhe prej faktit që vijnë shumë emigrantë, dhe kemi shumë vizitorë që na bashkohen. Meraku ynë është që të kemi fokus çdo gjë që prodhohet në Shqipëri, sidomos te ajo që prodhohet në Tiranë. Nga gjeli i Baldushkut, te domatet e Shëngjergjit, tek vaji i Ndroqit, apo tek vera e Lundrës, të kemi mundësi që ky fundvit të jetë një lajm i mirë edhe për ekonominë shqiptare”, nënvizoi Veliaj.

Vendosja e “Fshatit të festave” është kthyer në një traditë mjaft të bukur për kryeqytetin në prag të festive të fundvitit, ku mijëra qytetarë çdo pasdite, së bashku me familjet e tyre, shijojnë aktivitetet e shumta që organizohen në shesh, por edhe lojërat për fëmijë apo konsumimin e produkteve lokale.