Çfarë fshihet pas takimit të Thaçit me Vladimir Putin

Presidenti Thaçi përpiqet që të gjejë aleatë ndërkombëtarë për ta jetësuar idenë e tij për korrigjim kufijsh, të cilën opozita e quan ide ruso-serbe. Kjo ide kundërshtohet prej partnerëve historikë të Kosovës, por mbështetet fort nga Serbia dhe Rusia. Thaçi në Paris prezanton këtë ide dhe përfundon në prehrin e Vladimir Putinit.

Presidenti Thaçi përpiqet që të gjejë aleatë ndërkombëtarë për ta jetësuar idenë e tij për korrigjim kufijsh, të cilën opozita e quan ide ruso-serbe.

Duke gjetur kundërshtim të ashpër nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, rreth idesë së lëvizjes së kufijve, Thaçi është nisur drejt një adrese tjetër – te Vladimir Putin.

“Në Paris u takova më presidentin Putin, u fokusuam në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Në këtë temë presidenti Putin ishte i qartë: Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë”, shkruan Thaçi.

Kjo ide kundërshtohet prej partnerëve historikë të Kosovës, por mbështetet fort nga Serbia dhe Rusia, shkruan Gazeta Express.

Thaçin korrigjimi i kufijve duket se e ka çuar aty ku nuk imagjinohej – në prehrin e Putinit, njeriun që e lufton pavarësinë e Kosovës, kundërshtarit më të ashpër të Kosovës.

Thaçi, gjatë korrikut e kishte takuar shkurt në Ankara kryeministrit rus Dmitty Medvedev. Edhe me të presidenti thoshte se ka biseduar shkurt për dialogun.

Presidenti Thaçi i kishte treguar Medvedevit se është i interesuar t’i rregullojë raportet me Rusinë.

Shtetet e QUINT-it kanë qëndrime të ndryshme rreth idesë së Presidentit Thaçi, ndërsa më e zëshmja është Gjermania që e kundërshton në çdo formë lëvizjen e kufijve.

Kjo ka çuar edhe në ftohjen e raporteve mes shtetit gjerman e presidentit Thaçi.

Ndërsa, ndryshe nga Merkel, kancelari austriak, Sebastian Kurz, javën e kaluar në Prishtinë ka konfirmuar se shteti i tij e pranon pa kushte secilën marrëveshje që arrihet mes Kosovës e Serbisë.

Thaçi këtë fundjavë e kaloi në Paris, ku është festuar 100-vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe kështu i erdhi edhe rasti të shihet me liderë botërorë.

Derisa takimin me Merkelin e ka ilustruar me një fotografi të vjetër, sot Thaçi i tregoi përmes fotografive se me Putinin ka pasur një bisedë me temë kryesore marrëveshjen me Serbinë. /GazetaExpress/