Soreca: Rreth 80 mijë vende të reja pune në rajon nëse ekonomitë integrohen ngushtësisht

Komisioni Europian parashikon se rreth 80 mijë vende të reja pune mund të krijohen në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse ekonomitë përkatëse integrohen më ngushtësisht. Deklarata ka ardhur nga kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, gjatë fjalimit të tij në Forumin e 4-ët ë Ndërlidhjes në Tiranë.

Soreca tha se Strategjia e Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe Samiti i Ballkanit Perëndimor në Sofje dhe Londër theksuan akoma më tej rëndësinë e lidhjes dhe bashkëpunimit rajonal për integrimin europian të rajonit.

“Ndërlidhja heq barrierat, hap tregjet, ndërton besimin e investitorëve. Më e rëndësishmja, lidh njerëzit. Ndërlidhja mban çelësin e prosperitetit dhe paqes afatgjatë për të gjithë në rajon”, u shpreh ambasadori.

Ndërsa është ndalur tek mbështetja që po jep Bashkimi Europian për projektet infrastrukturore në rajon, Soreca bëri të ditur se kanë filluar studimet e fizibilitetit për autostradën Adriatik-Jon.

Ai vuri theksin tek krijimi i Zonës Ekonomike Rajonale, duke e cilësuar si rrugën për të lidhur tregjet, ekonomitë dhe njerëzit e rajonit, si dhe një ndihmesë të madhe për t’iu bashkuar BE-së.

“Zona Ekonomike Rajonale nuk është një zëvendësuese e anëtarësimit në BE. Përkundrazi, ajo ndihmon në përgatitjen për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian – duke filluar me harmonizimin e standardeve kombëtare dhe duke rrëzuar barrierat ndaj tregtisë dhe investimeve”, tha Soreca.

Ndërsa u ndal tek tregtia, Soreca tha se modelet e eksportit në rajonin e Ballkanin Perëndimor ende dominohen nga produkte të pakualifikuara, duke cilësuar si domosdoshmëri investimet që nxisin aftësi dhe sipërmarrje shumë të zhvilluara.