Varrim me thirrje antishqiptare, reagon Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, përmes një reagimi mbi ngjarjen në Bularat, ku trupi i pajetë i Kacifas u përcool me thirrje anti-shqiptare, dënon gjuhën e urrejtjes. ”Një grup personash të ardhur nga Greqia shfrytëzuan ceremoninë mortore të shtetasit Kostandin Kacifa, duke e kthyer atë në një ngjarje të tensionuar, ku u shpreh qartazi gjuha e urrejtjes ndaj popullit shqiptar nëpërmjet parullave nacionaliste, ksenofobisë dhe ekstremizmit që nxit dhunën dhe përçarjen, veprime këto të dënueshme edhe ligjërisht”,-thuhet në reagim.

Reagimi i plotë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), misioni i të cilit ka qenë dhe mbetet respektimi i lirive dhe të drejtave të shtetasve, përfshirë këtu edhe ato të pakicave kombëtare, shpreh indinjatën e tij të thellë dhe dënon me forcë atë që ndodhi sot në Bularat.

Një grup personash të ardhur nga Greqia shfrytëzuan ceremoninë mortore të shtetasit Kostandin Kacifa, duke e kthyer atë në një ngjarje të tensionuar, ku u shpreh qartazi gjuha e urrejtjes ndaj popullit shqiptar nëpërmjet parullave nacionaliste, ksenofobisë dhe ekstremizmit që nxit dhunën dhe përçarjen, veprime këto të dënueshme edhe ligjërisht.

Shfaqje të tilla që i përkasin të kaluarës së largët nuk kanë asgjë të përbashkët me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis popullit shqiptar dhe atij grek, si dhe me standardet europiane, për të jetuar në paqe, demokraci dhe stabilitet.