Dy veprat penale që u konsumuan sot në Bularat

Ceremonia mortore për ekstremistin Kostandinos Kacifas sot në Bularat u krye pikërisht ashtu sikundër ishte paramenduar. Një manifestim antishqiptar, me parrulla nacionaliste dhe thirrje që nxisin urrejtjen etnike mes dy vendeve. Pra, organizatorët në këtë rast nuk zhgënjyen aspak. Ajo që na habiti të gjithëve ishte zbythja ulëritëse e strukturave të shtetit shqiptar.

Në fshat nuk kishte prezencë të forcave të policisë, të paktën me uniformë, duke ‘dorëzuar’ totalisht territorin në dorë grupeve ekstremiste greke që e kthyen funeralin në një shesh për të bëritur thirrjet nacionaliste. Por më e rëndë në këtë rast është pafuqia e shtetit shqiptar për të zbatuar ligjin në këtë pjesë të territorit.

Sot në Bularat janë konsumuar dy vepra penale: “Thirrja për urrejtje nacionale” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”. Askush nuk mund të mohojë se sot në Dropull s’kishte nxitje të urrejtjes, thirrje nacionaliste dhe shpalosje të simboleve për të ashtuquajturin ‘Vorio Epir’.

Deri më tani, reagimi i shtetit shqiptar për këtë ngjarje është zero. Policia u zbraps madje edhe duke u lënë terren ekstremistëve të bllokonin rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë. Gjithçka ndodhte në prezencë të drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Gjovalin Leka.