Bularat/Kush është Babis Harallambos?

Babis Harallambos është ekstremisti grek i arrestuar sot në Bularat, pasi organizoi një turmë të ardhur nga Greqia me autobusë për në ceremoninë e Konstandinos Kaçifas, të bllokonte për rreth 10 minuta, aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë, duke shkaktuar kaos dhe trafik.

Kush është Babis Harallambos?

Emri i Harallambos është i lidhur me një ngjarje tragjike në jug të vendit. Në prill 1994 sulmohet në mesnatë posta policore kufitare në Gjirokastër dhe për pasojë vriten dy ushtarakë shqiptarë, një oficer dhe një pjesëtar i FA i cili u ekzekutua në vendroje. Babis Harallambos arrestohet një vit më pas në Greqi, pasi akuzohej nga autoritetet shqiptare si njeriu që hyri në territorin shqiptar bashkë me një grup të armatosur prej shtatë personash të cilët kryen masakrën.

Mes të arrestuarve ishte edhe Fredi Beleri, një personazh i njohur në Himarë, kandidat edhe për kryetar bashkie. Por të gjithë të arrestuarit u liruan dhe sot e kësaj dite masakra e Peshkëpisë nuk ka autorë pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Harallambos njihet edhe si bashkëpunëtor i afërt me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. Të dy ata janë fotografuar në disa aktivitete të OMONIA-s dhe PBDNJ-së në Greqi me karakter kryesisht antishqiptar dhe me thelb të ashtuquajturin Vorio-Epir.