Në Kalabri, dy presidentët; Meta dhe Mattarella

Vizita e Presidentit Ilir Meta dhe Presidentit Italian Serxho Mattarella te arbëreshët në Kalabri është cilësuar si historike jo vetëm nga banorët e komunave që banohen nga arbëreshët, por edhe nga mediat italiane.

Televizionet dhe gazetat kryesore në Itali i kanë bërë jehonë vizitës së dy presidentëve në qendrën kulturore të arbëreshëve.

“Presidenti italian dhe ai shqiptar vizituan sot Shën Mitrin (San Demetrio Corone), për ceremoninë e 550-vjetorit të vdekjes së patriotit shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbej”,- raporton televizioni ndërkombëtar Euronews, në gjuhën italiane. Televizioni i njohur citon fjalimet e presidentëve ku vlerësohet si një model europian bashkëjetesa dhe integrimi mes dy kulturave të ndryshme.

Kronika e televizionit EuroNews

Kronika e Corriere Tv

Mediat më të njohura italiane theksojnë faktin se është e para herë që Presidenti i Shqipërisë dhe Presidenti i Italisë vizitojnë komunitetin arbëresh në jug të Italisë, ndërsa nënvizojnë se kjo ndodh në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Televizioni lokal “Telemia” i ka kushtuar një kronikë të zgjeruar vizitës së Presidentit të Shqipërisë në jugun e Italisë, duke theksuar se mes “Kalabrisë dhe Italisë ekziston një lidhje e fortë që zgjat prej 600 vjetësh”.
“Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, Gerardio Mario Oliverio ka falënderuar z. Meta për vizitën e tij, duke u ndalur te marrëdhëniet e forta, historike dhe jo vetëm, mes Shqipërisë dhe Kalabrisë, ku në fakt jeton një komunitet i madh shqiptarësh, duke nisur nga Shën Mitër Koronës (Kozenca), që njihet si “kryeqyteti kulturor” i komunitetit shqiptar në Itali dhe Kalabri e ku jetojnë rreth 80 mijë arbëresh”, – thuhet në kronikën e “Telemia”.
Mediat lokale, por edhe ato kombëtare raportojnë gjerësisht për ceremonitë që mbahen në Shën Mitër Korona në prezencën e Presidentit të Italisë, z. Sergio Mattarella.
Agjencia e lajmeve “ANSA” shkruan se gjatë takimit mes Presidentit Meta dhe Presidentit të Rajonit të Kalabrisë, Gerardio Mario Oliverio është folur për marrëdhëniet e shumanshme e historike mes dy popujve tanë dhe për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen në të gjitha fushat.
“Kemi mundësinë të investojmë në këtë raport edhe në funksion të ruajtjes dhe vlerësimit të gjuhës shqiptare edhe mes të rinjve këtu dhe të promovimit të mirëqenies së Italisë dhe Shqipërisë”, – është shprehur Presidenti Meta sipas asaj që raporton “Quotidiano.net”.

Lexoni edhe