Pritje madhështore në Kalabri për Presidentin e Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka nisur dje vizitën zyrtare në Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Në Rajonin e Kalabrisë ndodhen komunat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh në Itali, të cilat sipas të dhënave historike, janë vendosur në vendin fqinj pas vdekjes së Skënderbeut, si pasojë e pushtimit të Perandorisë Osmane. Historia e arbëreshëve të Italisë është më veçanta e shqiptarëve që janë detyruar të emigrojnë për shkak të pushtimeve. Pas më shumë se 550 vjetësh,  rreth 50 zona me arbëreshë në Itali që kanë arritur të mbajnë të gjalla, si në asnjë vend tjetër, gjuhën, traditat, zakonet dhe kulturën shqiptare. Është bashkësia shqiptare jo vetëm më e organizuar, falë edhe lehtësive të krijuara nga shteti italian, por edhe komuniteti që ka ndikuar më shumë në historinë e Shqipërisë duke u bërë një urë lidhëse mes dy vendeve.

Vizita e Presidentit shqiptar përkon dhe me ceremonitë e veçantë shekullore që ky komunitet zhvillon me rastin e 550 vjetorit të Heroit Kombëtar, Skënderbeu. Dje Presidentit Meta ka marrë pjesë ne meshën për Skënderbeun, mbajtur në kishën më historike të komunës së Lungrio-s (shqip Ungra) në rajonin e Kalabrisë. Pritja që banorët arbëreshë të kësaj komune kanë rezervuar për kreun e shtetit shqiptar ishte madhështore. Në rrugët e kësaj komune kjo ditë është përjetuar si një festë e vërtetë. Qindra e qindra banorë arbëreshë kanë dalë më kostume tradicionale shqiptare dhe duke kënduar këngë të vjetra shqiptare. Kreu i shtetit është pritur fillimisht nga drejtuesi i kishës Imzot Donato Oliverio. Ai mbajti një fjalim emocionues për vizitën e Presidentit Meta duke theksuar rëndësinë që arbëreshët dhe vet kisha i kushton ruajtjes së traditave shqiptare. “Kjo kishë përfaqëson degën më antike të popullit shqiptar në Itali dhe është e gjallë, plotë jetë dhe ekziston falë arbëreshëve”,- tha Imzot Donato Oliverio. Presidenti Ilir Meta në fjalën e tij u shpreh se vizita mes arbëreshëve të Italisë është ndër më të veçantat për çdo shqiptar. “Është një nder të jem sot këtu në këtë ceremoni përshpirtje për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Skënderbeu do të jetë për ne, siç ka thënë Fan Noli, shqiptari më i gjallë ndër të gjithë shqiptarët”. Presidentit Meta u ndal në rolin e pazëvendësueshëm që kanë arbëreshët në lidhjet e forta mes popullit italian dhe atij shqiptar, si dhe në ruajtjen e traditave kombëtare. Në shenjë vlerësimi për rolin e kishës në komunitetin e arbëreshëve Presidentit Meta i dorëzoi Imzot Donato Oliverio medaljen e lartë, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Gjatë ditës së djeshme kreu i shtetit zhvilloi takime me drejtuesit e institucioneve lokale në Rajonin e Kalabrisë. Kreu i shtetit u takua me Presidentin e Rajonit të Kalabrisë, Mario Olivero me të cilin diskutuan për arbëreshët, por edhe bashkëpunimin mes Kalabrisë dhe Shqipërisë. Presidenti i Rajonit të Kalabrisë në fjalën e tij vlerësoi komunitetin arbëresh si një komunitet model jo vetëm për integrimin që ka bërë në jetën e shtetit italian, por edhe për vlerat që i ka sjellë shoqërisë italiane. “Është një komunitet që për ne përbën një burim, jo vetëm nga ana kulturore dhe njerëzore, por edhe për shkak të kontributit që ka dhënë dhe vazhdon të jap në terma ekonomikë, socialë dhe më lejoni të them edhe civil dhe etik”,- deklaroi Mario Olivero.

Sot, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kalabri, kreu i shtetit shqiptar, do të takohet me Presidentin e Republikës Italiane, Sergio Mattarella. Dy presidentët do të  vizitojnë komunën e Shën Dhimitër Koronës, ku do të takohen me arbëreshët, përfaqësuesit dhe autoritetet e tyre vendore, drejtuesit e bashkësive fetare arbëreshe, personalitete të ndryshme, pedagogë, studentë arbëreshë. Dy presidentët do të takohen në kolegjin italo-shqiptar të “Shën Adrianit”, një nga institucionet kulturore që përgjatë viteve ka nxjerrë personalitet të jetës publike italiane, por edhe intelektualë që kanë dhënë kontribute për Shqipërinë. Vizita në këtë komunë, një nga më të rëndësishmet për arbëreshët, cilësohet si historike. Organizata e Arbëreshëve deklaroi se “vizita e dy presidentëve do të jetë një event historik me rëndësi të jashtëzakonshme, pasi është hera e parë që një president i Republikës së Italisë vjen këtu, njëkohësisht me kreun e shtetit shqiptar”.