Spiropali: Ka degradim të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë

Kryetarja e Platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët, Elisa Spiropali ka folur pas mbledhjes së kryesisë së PS. Ajo u shpreh se ka një degradim të marrëdhënies pushtet lokal me qytetarët dhe po bëhet një analizë e punës së drejtorëve dhe qeverisjes në territor. Deputetja e PS tha se janë shkarkuar kryetarë degësh të PS por nuk bëri të ditur emrat e tyre.

”Ka një degradim të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë dhe po bëhet analizë e punës së drejtorëve dhe e qeverisjes në territor. Ne kemi shkarkuar kryetarë degësh të PS por nuk e kam listën. Ajo do bëhet prezente më vonë”,-tha Spiropali.

Rama duke iu referuar indirekt arrestimeve të djeshme ka kërkuar nga çdo deputet që të identifikojë drejtorët që nuk punojnë siç duhet pasi sipas tij, këta drejtorë me keqmenaxhimin dhe korrupsionin e tyre i kanë nxirë fytyrën socialistëve.

Gjithashtu kërkohet identifikimi i drejtorëve të tjerë të drejtorive rajonale që nuk kanë plotësuar detyrën e tyre siç duhet. Një tjetër kërkesë e kryeministrit për deputetët e forcës së tij politike ishte që të mbanin shënim dhe të raportonin cdo shpifje ndaj tyre në departamentin Anti-Shpifje në partinë socialiste në mënyrë që të ndiqet në rrugë gjyqësore.