Petrit Vasili: Shumë shpejt do nisin protestat që do largojnë Ramën

Petrit Vasili deklaron se LSI-ja nuk e vë në diskutim pjesmarrjen në zgjedhjet lokale të vitit 2019 por ka vetëm me një kusht: Jo Edi Rama kryeministër. I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, përballë gazetarëve Denis Minga, Alen Xhelili dhe Loenard Karaj, Vasili tha se shumë shpejt do nisin protestat e opozitës të cilat kanë vetëm një synim, largimin e Edi Ramës si kryeministër.

“LSI nuk e ka vënë ndonjëherë në diskutim pjesmarrjen ose jo në zgjedhjet lokale. Madje që në verë kemi nisur përgatitjet. Por ka vetëm një kusht nga ana jonë. Në këto zgjedhje Shqipëria duhet të shkojë pa Edi Ramën kryeministër dhe ne do ta arrijmë këtë”, tha Vasili.

Por si do arrihet kjo? Për Petrit Vasilin shumë shpejt do nisin protesta mbarëpopullore në vend, të cilat do konvergjojnë në presionin ndajqeverisë dhe Edi Ramës që ai të largohet nga detyra e kryeministrit. Objektivi i protestës do jetë largimi i tij dhe organizimi i zgjedhjeve me një kryeministër tjetër. Lidhur me arrestimet e ditëve të fundit Vasili deklaroi se mbështet policinë në luftën ndaj krimit por e gjithë kjo që ka ndodhur këto ditë duhet parë me vëmendej në ditët në vijim.

”Pyetja ime është: si do jetë vazhdimësia e këtyre arrestimeve të bujshme? Krimi i organizuar, droga, pastrimi i parave janë bërë problemet kryesore të këtij vendi”, shtoi Vasili