Financimi i fshehtë grek, 1 milion euro portalet shqiptare. Prokuroria të hetojë emrat

Skandal/Sherri mes ministrave grekë ka nxjerrë në skenë se qeveria greke ka financuar, në mënyrë sekrete, disa media dhe portale shqiptare, sikurse edhe politikanë që merren me Marrëveshjen e Detit, me mbi 1 milionë euro vetëm për muajin tetor të këtij viti. Synimi grek: Të propogandonin Marrëveshjen si të favorshme për shqiptarët dhe të sulmonin kush ishte kundër kësaj Marrëveshje diskriminuese për Shqipërinë.

Sherri drastik mes ministrave në qeverinë greke, ku çoi në dorëheqjen e ministrit të jashtëm Kotzias, ka nxjerrë në dritë fakte skandaloze për cënimin e interesave kombëtare të Shqipërisë. Mediat greke kanë raportuar dje se Ministria e Jashtme Greke ka financuar media, portale dhe gazetarë në Shqipëri, në mënyrë sekrete. Edhe negociatorë në Marrëveshjen për Detin kanë kode sekrete financimi.

Bile media greke ka botuar një listë me kode dhe shifra, të cilat duhet të zbardhen nga prokuroria shqiptare se cilat portale dhe emra nga Shqipëria kanë përfituar këtë shumë prej 1 milion euro. Sipas të dhënave të publikuara në vendin fqinj, flitet për 1 milionë euro që janë dhënë për mediat në Shqipëri vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti. E gjithë kjo shumë duket se është dhënë në kulmin e diskutimit mes Greqisë dhe Shqipërisë për Marrëveshjen e Detit, ku siç dyshohet se qeveria shqiptare ka rënë dakort me variantin grek, por është kundër Presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit shqiptar ka thënë se pa një gjykatë kushtetuese funksionale nuk mund të miratohet kjo marrëveshje mes dy qeverive.

Dhe për këtë qëndrim kushtetues e kombëtar disa media dhe portale filluan dhe vazhdojnë një fushatë denigruese ndaj Presidentit të Shqipërisë, e ku po del publikisht, se janë media të financuara nga Athina me fondin prej 1 milionë euro në mënyrë sekrete.

Ky është një skandal kombëtar e ku prokuroria duhet të fillojë hetimet urgjente për shitje të interesave kombëtare.

Edhe media bën tradhti e jo vetëm qeveritarët apo politika!

Ndërkohë paratë që janë hedhur në vitet e fundit në Shqipëri mendohet se janë disa herë më shumë. Këto para kanë kaluar me anë të një fondi sekret nga Ministria e Jashtme e Greqisë, gjë që do të thotë se që në nisje përdorimi i këtyre parave ka patur karakter të veçantë politik, në mbrojtje të interesave greke në Shqipëri. Qëllimi i këtyre parave është blerja e mediave dhe gazetarëve për të ndikuar në favor të interesave të Greqisë. Me anë të parave të dhëna në mënyrë jo zyrtare, Ministria e Jashtme greke ka kërkuar të ndikojnë në opinionin shqiptar, duke i paraqitur tezat e saj në mënyrë gati të “paanshme”, por që ti bëhej lavazh trurit shqiptar sikur marrëveshja e Detit favorizon Shqipërinë, duke hequr Ligjin e Luftës.

Televizioni “Top Channel”, që hapi i pari skandalin, citonte dje burime që deklarojnë se “45 milionë euro është shuma të cilën ministri grek i Mbrojtjes, Kamenos, ia faturon Kotziasit si shumë e shpenzuar në mënyrë abuzive nga fondi që konsiderohet buxhet sekret i ministrisë së Jashtme greke. Burime pranë ministrisë së Jashtme në Athinë bëjnë me dije se një pjesë e madhe e buxhetit sekret të kësaj ministrie jepet në formë grantesh e ndihmash në media dhe organizata të ndryshme në rajon për të paguar gazetarë, portale, por edhe media e politikanë në Shqipëri dhe Maqedoni. Gjithashtu mësohet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht në ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo për financimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Veç medias, pjesë e financimit është dhënë edhe për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, por burimet tregojnë se dyshohet se fonde kanë marrë politikanë shqiptarë apo edhe negociatorë të Marrëveshjës së Detit me Greqinë. Gjithashtu, janë financuar edhe programe të ndryshme për studime Master të zyrtarëve shqiptarë në Greqi, por edhe për pritje, përcjellje dhe udhëtime turistike të disa prej gazetarëve shqiptarë. Sipas Top Channel ekziston dhe një listë e detajuar me emra dhe kodet e personave që kanë përfituar, kode të cilat kanë emra mediash, gazetarësh, analistësh dhe politikanë e zyrtarë shqiptarë, kryesisht të angazhuar në krjimin e një klime pozitive për Marrëveshjen e Detit. Ndërsa lista e atyre që kanë sulmuar Presidentin e Shqipërisë se “pse vonon firmosjen e Komisionit Negociator” apo kur Ilir Meta deklaroi se pa gjykatë kushtetuese nuk mund ta firmos Marrëveshjen, pra kjo kategori mediash rezulton se kanë marrë shuma të mëdha në euro nga ministria e jashtme greke. Prokuroria e Athinës po heton se nga doli sekreti shtetror, por edhe si janë dhënë këto 1 milionë euro për mediat dhe portalet shqiptare; pra me bankë apo cash. Po hetohet edhe një agjensi reklamash në Tiranë e cila ndan fondet për disa portale apo media, sipas interesit grek, pra kush mbështet Marrëveshjen e Detit merr me shumë fonde reklamash. Edhe këtu prokuroria shqiptare duhet të hetojë, se dyshohet se ka një kanal grek financimi të portalëve me fondet greke, të fshehta.

Greqia është një vend fqinj që ka ndihmuar në jo pak raste Shqipërinë. Qeveria greke ka dhënë miliona euro ndihma në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Por skandali për të cilin po flasim nuk ka të bëjë me ndihmë, por me synime të tjera. Po flasim për fonde sekrete të Ministrisë së Jashtme. Objekti i këtyre fondeve është të ndihmojë politikën e jashtme greke të arrijë qëllimet e saj duke blerë faktorë mediatik apo edhe politikanë shqiptarë. Praktikisht diplomacia greke ka arritur të gjejë në Tiranë njerëzit që duke i paguar do të bënin punën e tyre. Është një proces që këto ditë do të dëgjojmë të quhet në shumë mënyra, por në shqip ka vetëm një fjalë: tradhëti kombëtare. Ndaj prokuroria duhet urgjent të fillojë hetimet për këto financime të paligjshme dhe të fshehta. Nëse janë dhënë në forma bankare si projekte apo gjithfarë sajesash, prokuroria shqiptare heton llogarinë e çdo media apo portali, sepse ia lejon ligji. Nëse janë dhënë cash nga burimet sekrete greke, do jetë pak i vështirë hetimi, por përsëri kontrolli do gjejë se si mbahen këto portale apo media.

Detajet e këtij skandali për përdorimin e fondit sekret të ministrisë u publikuan nga kundërshtarët e ministrit Kotsias në qeverinë greke. Por indirekt sherri në Athinë duhet të shërbejë për të “hapur sytë” në Tiranë. Këto vite mes dy vendeve po negociohen çështjet më të rëndësishme, si ajo e Paktit Detar. Nëse flasim për interesa të diplomacisë greke këto kohë në Shqipëri është pikërisht arritja e këtij pakti në favor të tyre. Sot jemi para faktit se një pjesë e parave mund të jenë hedhur për të shpërqëndruar opinionin dhe për të goditur figura që realisht janë në mbrojtje të interesave kombëtare. Është skemë jo vetëm e pistë, por edhe anti-kombëtare, përderisa nga media në Tiranë praktikisht punohet për interesa të diplomacisë greke.

Skandali për milionat e fondit sekret në Athinë është një nga arsyet që sollën largimin e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Niko Kotias. Në Greqi politikanët e opozitës janë të shqetësuar për abuzimet që mund të kenë ndodhur me këto para, pra, nëse janë përdorur siç duhet për interesat e Greqisë. Deputetë të mazhorancës qeverisëse greke thonë se me publikimin e listës opozita greke po dëmton interesat kombëtare të Greqisë. Prokuroria e Athinës ka nisur dje hetimet mbi bazën e shkrimeve që janë botuar në mediat greke. Ndërkohë dje në Tiranë, përveç shkrimeve në media nuk pati asnjë reagim zyrtar nga institucionet tona. Po flitet për një nga skandalet më të mëdha në kurriz të interesave kombëtare dhe nga Prokuroria nuk ka asnjë hetim. Këtu nuk po flitet për fonde që janë marrë nga marrëveshje zyrtare, por për pagesa sekrete për interesa të diplomacisë së fshehtë greke. Shqiptarët duhet të dijnë se kush janë mediat, gazetarët apo bizneset që kanë përfituar para për shërbime që i interesojnë Greqisë.

Natyrisht Greqia është në të drejtën e saj të bëjë politikë për interesat e saj, por Shqipëria dhe mediat shqiptare nuk duhet kurrsesi të shesin interesat kombëtare për eurot e derdhura nga kanalet e ministrisë së jashtme greke.

Në fund të fundit prokuroria shqiptare duhet të hetojë për t’i thënë, por edhe për t’i dhënë, publikut shqiptar se kush janë mediat dhe portalet e blera nga fondi sekret grek.