Meta, video për perlën e jashtëzakonshme të Alpeve Shqiptare, Curraj i Epërm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka uruar këtë të hënë paradite gjithë shqiptarët për një javë të mbarë, duke postuar videon me pamje fantastike të bukurive magjepsëse të Curraj i Epërm, ku ai ishte dhe mori pjesë edhe në përurimin e rrugës Lekbibaj-Curraj i Epërm.

Mhill Gecaj, kryetar i shoqatës “Curraj i Epërm”, thotë për “Koha Jone” se ishte një pritje fantastike që iu bë Ilir Metës nga banorët e Curraj të Epërm. Ai shton, se ishin qindra e qindra veta të cilët kishin ardhur në këtë takim me Presidentin Meta si dhe për inagurimin e udhës së re. Kishin mbërritur nga diaspora, bijë dhe bija të Curraj të Epërm, që tashmë jetojnë në SHBA, Britani e Madhe, Itali, Gjermani, etj.

Në një shënim në profilin e tij në Facebook, Presidenti Meta i bën jehonë bukurive natyrore të kësaj zone, e cila quhet edhe si “Toka e Kreshnikëve”.

Ilir Meta, përveç takimeve zyrtare, po bën edhe një punë brilante për njohjen e reklamimin e bukurive shqiptare. Në muajin gusht bëri një tur në Vermosh, Plavë e Guci (Mali i Zi), me pas në Kosovë, duke u kthyer prapë brenda kufirit shqiptar, ku u ngjit në majën më të lartë të Alpëve shqiptare, Jezercë.

Këto tre ditët e fundit ishte në Tropojë, por e veçanta mbetet Curraj i Epërm, një vend ku legjendat tregojnë se Zoti rri me afër Tokës.

Postimi i Presidentit Ilir Meta

Të dashur miq, ju përshëndes dhe ju uroj një javë të mbarë me këto pamje fantastike të bukurive magjepsëse të Curraj i Epërm, perlës së jashtëzakonshme të Alpeve shqiptare!🇦🇱