Kryeministri Rama, ndonjëherë, merr edhe vendime të drejta

Edi Rama qëkur është zgjedhur kryeministër nuk ka bërë veprim më të guximshëm se sa këto tre ditët e fundit. Rama deklaroi dhe firmosi projektligjin për mbylljen me 1 janar 2019 të krejt lojërave të fatit, si bastet sportive. Mbyllje totale e këtij aktiviteti që u kthye në aktivitet kriminal dhe shkatërrues të familjeve shqiptare, ku puna arriti deri aty sa një kryefamiljar kur shkonte për të blerë bukën apo ushqimet, në vend që të hynte në dyqan, përfundonte në pikat e basteve sportive për të provuar “fatin”, por që linte edhe lekët e bukës.

Nisej për bukë dhe vinte në shpi edhe pa lekë, edhe pa bukë!

Këtë veprim duhej ta bënte me kohë kryeministri Rama, por siç thuhet më “mirë vonë se kurrë”. Pra duhej kurajo për t’i mbyllur bastet sportive. Janë shumë bosë deputetë dhe biznesmenë që marrin e japin nga PS-ja. Megjithatë ky akt duhet vlerësuar. Edhe konferenca ipeshknore e Shqipërisë menjëherë e përshëndeti sepse ruan familjen shqiptare dhe largon rininë nga ky krim ligjor.

Akti tjetër i Ramës lidhet me mbylljen e çdo portali “masakër”-anonim që jo vetëm nuk dihet se kush janë, porse përdorin çdo shpifje, sajesë, pisllëqe etj, duke denigruar atë që kanë vënë në fokus. Portalet kanë lirinë e duhur, por duhen licensuar dhe të dihet se kush është administratori, te paguajë taksa, të licensohet dhe të përgjigjet para ligjit. Siç përgjigjen para ligjit dhe gjykatës mediat radiotelevizive dhe të shkruara.

Ndaj kryeministri që ta çojë deri në fund aktin e tij duhet patjetër që të miratojë ligj ku komentet të kontrollohen dhe të përgjigjet para gjykatës administratori apo kryeredaktori. Natyrisht liria mbetet sepse nuk ia prek njeri, asnjërit. Por jo të masakrojnë e shpifin duke u fshehur pas portaleve anonime. Eshtë bërë praktikë e poshtër në portale, ku gjoja hedhin një koment nga “populli” dhe me pas turret urdia e “kriminelëve online”, të cilët nuk merren me shkrimin apo komentin, por me fisin dhe familjen e atij që shkruan apo politikanit X. Si dhe të çdo njeriu të cilin duan ta shkatërrojnë, duke shkuar deri në brezin e 7-të!

Ndaj ligj të rreptë për portalet.

Ka diskutime se nga niset kryeministri. E drejtë, se edhe nga inati, edhe nga hakmarrja. Por në këtë rast kjo hakmarrje ka një perfundim pozitiv: ruan lirinë e të shprehurit demokratik dhe vendos rregulla.

Dhe asnjë nuk mund të fshihet nën emra portalesh anonime.