Debutimi i pafat i Mihaj, frakturë në kockë pas dëmtimit ndaj Jordanisë

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar këtë mesditë, se mbrojtësi Enea Mihaj, ka pësuar një dëmtim të kockës. Mihaj pati një kontakt fizik gjatë ndeshjes së ditës së djeshme me një nga lojtarët e Jordanisë, çka duket i ka kushtuar shumë futbollistit kuqezi.

Lajmin për frakturën në kockë e ka bërë të ditur vetë FSHF-ja me anë të një njoftimi ku thotë: “Skuadra përfaqësuese e futbollit ka vijuar sot paradite seancën stërvitore, një ditë pas ndeshjes miqësore me Jordaninë, e mbyllur në barazim 0-0 në “Elbasan Arena”.

Pas dëmtimit të djeshëm gjatë ndeshjes, futbollisti Enea Mihaj pas disgnostikimit ka pësuar një thyerje të peronit dhe menjëherë i është nënshtruar fazës riaftësuese, e cila do të zgjasë disa javë”-shkruan FSHF.

Pas ndeshjes nuk pati një përgjigje të qartë për nivelin e dëmtimit, ndërsa sot mësohet se Mihaj ka pësuar një frakturë në kockë, e cila do e mbaj jashtë fushe futbollistin për disa javë.