“Babalja” dhe Alizoti trazojnë Shqipërinë

Që nga muaji maj kur Partia Demokratike publikoi audio-përgjimin që pretendonte se implikonte vëllanë e ministrit të Brendshëm, debati politik dhe publik po mbahet peng nga dy personazhe. I pari është Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babalja”, personi që pretendon se ka përgjuar të afërmin e ministrit. Dëshmia e tij, motivet se përse kishte bërë regjistrimin e pretenduar, por edhe e kaluara e tij problematike me dënime për disa krime e kthyen në një dëshmitar jo fort të besueshëm. Edhe më i dyshimtë bëhej rrëfimi i tij duke parë mënyrën sesi u prezantua audio-përgjimi. Nuk u zgjodh një media për të servirur materialin, por zyrat dhe deputetët e PD. Nuk u dhanë pamje filmike për atë që pretendohej,  por vetëm aludohej. Edhe vetë PD nuk deklaroi se kishte prova për vëllanë e ministrit, por theksonte se “dëshmitari Albert Veliu tha….”, etj etj.

Personazhi i dytë është Fredi Alizoti. Deri tre ditë më parë ishte si një “hije” në këtë histori. Përmendej nga disa detaje në dosjen e prokurorisë dhe shkarazi nga mazhoranca, por asnjëherë nuk dilte profili i tij i plotë. Edhe ky është i dënuar për disa vepra penale. Me probleme me drejtësinë për trafiqe jashtë Shqipërisë dhe i dënuar për disa vjedhje ordinere në Shqipëri. Nëse sheh biografinë e Fredi Alizoti rezulton se është një mik i denjë i Albert Veliut, siç edhe deklarojnë të dy. Janë të dy personazhe që realiteti i 28 viteve të fundit në Shqipëri ka prodhuar me shumicë. I gjen në Vlorë dhe Fier, por edhe në çdo cep të Shqipërisë. Janë modeli i njerëzve që në kërkim të pasurimit të shpejtë nuk kanë hezituar të merren me trafiqe dhe të përfshihen në krime e histori droge. Gënjeshtra apo mashtrimi është nga ato gjëra që në fjalorin e tyre nuk hyn te shkeljet ligjore. Madje, për dikë që i ka thënë “burgut hapu” për vepra shumë më të rënda, mashtrimi  duket puna më e lehtë.

Të tillë personazheve sot u kemi dhënë vendin e nderit në skenën politike dhe në opinionin publik dhe po presim nga ata të na tregojnë se kush gënjen, PD apo PS, Lulzim Basha apo Edi Rama. Mediat, partitë, madje dhe Prokuroria kanë vendosur çështjen më të rëndësishme këto ditë në dorën e dy njerëzve që nuk e kanë problem të mohojnë atë që kanë thënë më parë dhe pasi ta mohojnë ta pohojnë sërish. Kjo ka ndodhur këto ditë. Kemi Babalen që thotë se ka regjistruar vëllanë e ministrit, por veç fjalës së tij nuk ka asnjë provë tjetër bindëse që ta vërtetojë. Më pas, në biseda telefonike me miqtë pranon se në fakt nuk e ka regjistruar të vëllanë e ministrit, por “ashtu ishte një punë me PD”. Kemi dhe Fredi Alizotin që deklaron në Prokurori se “ka imituar zërin e Agron Xhafajt (vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj) dhe do merrte 200 mijë euro bashkë me Albert Veliun nga PD”. Më pas po Fredi Alizoti del në një video të publikuar nga deputeti Edvin Salijanji dhe thotë se “policia dhe Taulant Balla po e “detyronin” të thoshte se ka imituar vëllanë e ministrit. Nuk dihet se çfarë tjetër mund të kenë thënë në ndonjë video tjetër. Ka mundësi që me çdo person që kanë takuar të kenë një variant ndryshe të historisë. Fakti se është në dokumentet e Prokurorisë del se të dy i kanë hyrë kësaj loje për të bërë ca para, i bën persona jo të besueshëm.

Fatkeqësisht opozita ka mbetur peng i tyre dhe ka lënë kauzat e saj më të rëndësishme në dorën e personazheve që tani nuk i përdor dot as si dëshmitarë të drejtësisë dhe as si viktima të qeverisë. Mazhoranca po mundohet të tregojë se Albert Veliu është mashtrues dhe Alizoti “aktori” i përdorur është korrekt, por në fakt dhe qeveria ra në grackën e “Babaleve”. Asnjë nga të dy nuk është më i besueshëm dhe përdorja e tyre vetëm sa e trash zullumin e kësaj që po ndodh.

Ndaj kauzat e mëdha opozitare duan tjetër drejtim: Protesta ditë-natë për rrëzimin e qeverisë për mafien, për kontrabandën, korrupsionin, oligarkinë, varëfërinë, etj.

Deri në rrëzimin e qeverisë. Me Babalet dhe Alizotët nuk krijojnë kauza.

Q.Xhani